Prokuroria e Kosovës ka hedhur poshtë kallëzimin penal të paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) lidhur me dyshimet për keqpërdorime në ndarjen e granteve në bujqësi gjatë mandatit të ish-ministrit Faton Peci.
Ish-ministri Peci ka shkruar në Facebook se organi i akuzës nuk ka gjetur prova që mbështesin pretendimet për ndërhyrje apo keqpërdorime në këtë proces.
Ai ka theksuar se gjatë kohës sa drejtonte këtë dikaster, janë shpërndarë rreth 360 milionë euro për mbi 130 mijë fermerë përfitues, duke shtuar se nuk është evidentuar asnjë rast i përfitimit jashtë kritereve ligjore.
“Gjatë kohës sa isha ministër i bujqësisë, ky institucion u reformua rrënjësisht; ishte periudha kur fermerët, për herë të parë. Nuk dhanë më haraç për të përfituar grant. 360 milionë euro të ndara për 130 mijë fermerë përfitues; nuk kishte asnjë rast të faktuar që dikush përfitoi jashtë kritereve të përcaktuara me ligj. Nga 130 mijë fermerët përfitues u “gjurmua” dhe u “zbulua” se njëri ishte vëllai i një deputeteje, por nuk u gjet asnjë dëshmi e ndikimit tim, për faktin e thjesht sepse nuk ekzistonte.”, thuhet në njoftimin e Pecit.
Ai ka paralajmëruar inicimin e kallëzimeve penale për “kallëzim të rremë” ndaj përfaqësuesve të LDK-së, përfshirë kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, deputeten Hykmete Bajrami, si dhe një zyrtar tjetër të përmendur si pjesë e kësaj çështjeje.
Sipas tij, akuzat e ngritura kanë nxitur, siç është shprehur, “ terror medial” kundër tij , për më shumë se dy vjet.
Në fund të reagimit, ish-ministri ka vlerësuar se periudha e drejtimit të tij në Ministrinë e Bujqësisë ka shënuar periudhën më të ndritur të lulëzimit në bujqësi, për një çerek shekulli.
