Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar lidhur me rastin e të shtënave me armë që ndodhën pasditen e së enjtes në qendër të Podujevës, ku sipas Policisë së Kosovës tre persona kanë mbetur të plagosur.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur për Tëvë1 se prokurori kujdestar ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të udhëhequr veprimet hetimore.
“Lidhur me rastin ju njoftojmë se, pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Deri më tani këto informata i posedojmë. Për më shumë informacione ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Shala.
Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Tëvë1 se rasti është raportuar rreth orës 13:30.
“Rreth orës 13:30 është pranuar informata për të shtëna me armë zjarri në Podujevë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, nga informacionet e para, dyshohet se tre persona janë plagosur. Të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht, njësitet policore po vijojnë me ndërmarrjen e veprimeve operativo-hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka deklaruar Pllana.
Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura motivet e incidentit apo identiteti i personave të përfshirë.
