Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurve me inicialet S.S. dhe J.N. ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë – Dega Rahovec, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit S.S. dhe J.N. nga muaji gusht i vitit 2026 e në vazhdimësi në Rahovec, me dashje dhe në bashkëkryerje me njëri tjetrin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontraktojnë një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit E.A.
I dëmtuari E.A. për shkak të gjendjes së rëndë financiare, kishte marrë nga i pandehuri S.S. shumën prej 1,000 € (një mijë euro), për të cilën i ishte kërkuar që të kthente fillimisht shumën prej 3,000 € (tre mijë euro), më pas 5,000 € (pesë mijë euro), ndërsa në fund shumën prej 8,000 € (tetë mijë euro), nën kërcënimin se në të kundërtën, duhej të kthente paratë ose të jepte veturën e familjes së tij.
Më datë 24.09.2026 ditën kur i dëmtuari E.A. takohet me të pandehurin S.S. për të ia dorëzuar paratë, konkretisht shumën prej 8,000 € (tetë mijë euro), paraqitet edhe i pandehuri J.N. i cili pasi paraprakisht ishte marrë vesh me të pandehurin S.S. i thotë të dëmtuarit se 500 € (pesë qind euro) nga borxhi i marrë ishin të tij dhe se tashmë duhej të paguante shumën prej 8,000 € (tetë mijë euro) pasi kamata ishte rritë.
Prokurori i Shtetit, gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore, të ndërmarra në kuadër të veprimeve të koordinuara hetimore me Policinë e Kosovës, pas dorëzimit të shumës së parave, të pandehurit S.S. dhe J.N. janë arrestuar nga ana e zyrtarëve policorë, me paratë e pranuara nga i dëmtuari E.A.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit S.S. dhe J.N. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK- së.
Po ashtu, gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit S.S. janë gjetur dhe sekuestruar 9 (nëntë) fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, për të cilat dyshohet se nuk posedonte leje valide nga organi kompetent.
Për këtë veprim, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.S. ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
Të pandehurit që nga data 24 shtator 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartcekur.
