Në lagjen “Stari Aerodrom” të Podgoricës janë gjetur tre trupa pa shenja jete, të gjithë meshkuj të rritur, në atë që autoritetet po e hetojnë si vrasje të trefishtë.
Sipas policisë, mes viktimave janë dy vëllezër nga Rozhaja, Denis Hot (28) dhe Nezrin Hot (27). Viktima e tretë po ashtu është nga e njëjta zonë. Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti nuk lidhet me përplasje të grupeve kriminale, shkruan vijesti.me.
Policia malazeze është në kërkim të Vehid Muriq nga Rozhaja, i cili dyshohet se është autor i krimit.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur gjatë natës në një banesë me qira, ku viktimat dhe i dyshuari kishin qëndruar së bashku dhe punonin në sektorin e ndërtimtarisë.
Prokuroria e Lartë në Podgoricë ka njoftuar se pas disa orësh hetime në vendin e ngjarjes janë siguruar prova të rëndësishme për vazhdimin e hetimeve.
Sipas prokurores Danka Gjeriq, dyshohet se vrasja është kryer me armë të ftohtë, ndërsa motivi ende nuk është konfirmuar.
Hetimet paraprake sugjerojnë se krimit i kanë paraprirë mosmarrëveshje personale mes të dyshuarit dhe viktimave, të gjithë me origjinë nga Rozhaja.
Pas ngjarjes, i dyshuari besohet se është kthyer në vendlindje, ku dyshohet të ketë ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij. Familja ka njoftuar policinë për incidentin, pas së cilit është zbuluar edhe krimi në Podgoricë.
Policia po vazhdon kërkimet intensive për kapjen e të dyshuarit. /Telegrafi
Policia e Malit të Zi publikon foton e të dyshuarit kryesor për vrasjen e trefishtë në Podgoricë
