Lajme

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj një personi në Prizren, sulmoi një grua dhe më pas e grabiti

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.B, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Grabitja”.

Sipas komunikatës, Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka kërkuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Sipas aktakuzës, me datë 10.06.2024, në orën 23:24 në Rr. ‘’Zara’’ në Prizren, me përdorim të forcës, sulmon jetën apo trupin e personit tjetër duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe përvetëson pasurinë e luajtshme të personit të tillë me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që derisa viktima F.K., ishte duke ecur përgjatë rrugës në fjalë, i njejti në mënyrë dinake i vihet nga pas dhe në mënyrë jashtëzakonisht të dhunshme e godet viktimën me grusht në anën e djathtë të kokës – fytyrës së saj, e cila menjëherë mbetet pa ndjenja – e alivanosur në tokë, me ç’rast i njejti shfrytëzon momentin e volitshëm ashtu që përvetëson telefonin dhe çantën e saj dhe largohet në shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar viktimës F.K., dëm pasuror dhe lëndime të lehta trupore – të konstatuara sipas akt-ekspertimit mjeko-ligjor”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë./teve1.info/