Arbana Osmani do të jetë moderatorja e ‘reality show’-t televiziv “Ferma VIP”, në Vizion Plus. Pas shumë aludimesh në media dhe rrjete sociale, moderatorja ka konfirmuar lajmin përmes një postimi në Instagram, ku publikoi edhe promon që paralajmëron sezonin e ri.
Në videon promocionale, Arbana shfaqet e rrethuar nga njerëz që kryejnë punët e përditshme të fermës, teksa nuk mungojnë as kafshët, duke dhënë një ide të qartë për atmosferën dhe konceptin e programit.
Ky projekt do të shënojë rikthimin e moderatores në televizion, pasi prej disa sezonesh ajo ka qenë larg ekranit. Që nga moderimi i “Big Brother VIP Albania 2”, Arbana është fokusuar në projektet e saj online, veçanërisht në kanalin e saj në YouTube me emisionin “Mirëmbrëma Yje”.
Ndërkohë, për herë të parë në karrierën e saj televizive, moderatorja do të shfaqet në një logo tjetër televizive nga ajo e Top Channel, duke ngjallur mjaft kuriozitet te publiku dhe ndjekësit e saj.
Më herët, ky format është moderuar nga Fjoralba Ponari dhe Luana Vjollca, po ashtu dy figura të “rritura” profesionalisht në Top Channel.
Ndërkohë, këtë sezon regjia i është besuar partnerit të Arbanës, Eduart Grishajt, duke lënë të kuptohet se i gjithë formati do të tjetërsohet sa i përket konceptit apo anës teknike/vizuale.
View this post on Instagram A post shared by Arbana Osmani (@arbanao)
