Me sloganin “Për Kosovën dhe Metohinë serbe” në Beograd më 17 mars u mbajt një protestë e organizuar nga 13 parti dhe lëvizje të së djathtës, përfshirë edhe grupin ultradjathtist, Obraz.
Shkak për tubimin ishte Ligji për të huajt dhe Ligji për automjetet, të cilët hyrën në fuqi në Kosovë më 15 mars.
Protestuesit thanë se këto ligje do të ndikojnë negativisht tek anëtarët e minoritetit serb në Kosovë, por edhe te sektori i shëndetësisë dhe arsimit, që në zonat e banuara me serb në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Enver Bytyçi.
Profesori thotë që protesta në Beograd tregon që në Serbi ende ekziston një mentalitet dhe propagandë e vjetër kundër Kosovës, e bazuar në mite historike dhe pretendime territoriale.

Enver Bytyçi
Ai gjithashtu thekson se këto ide janë të rrezikshme, por në realitet nuk kanë mbështetje të madhe dhe nuk ndryshojnë faktin që Kosova është shtet i pavarur dhe vepron me ligje normale si çdo vend tjetër.
“Po! Ne pamë se në Beograd të martën e kaluar, më 17 mars, u mblodhën anëtarë dhe simpatizantë të 13 partive politike për të demonstruar urrejtje, hasmëri dhe për t’u betuar për hakmarrje kundër shqiptarëve në emër të asaj që ata e quajnë “Për Kosovën dhe Metohinë serbe”! Por aq sa është Beogradi tokë shqiptare, aq është Kosova tokë serbe. Megjithatë ky akt demonstrimi ishte një sinjal se në Serbi ende vazhdojnë të ëndërrojnë për Kosovën tashmë shtet sovran e të pavarur. Endërrat e Serbisë në fakt në të kaluarën kanë funksionuar. Sepse pikërisht me propagandën e mitit për Kosovën, Serbia e mbajti Kosovën nën pushtim, okupim dhe sundim prej vitit 1913 e deri në vitin 1999. Pra për gati 9 dekada.
Derisa bashkësia ndërkombëtare asokohe ua realizoi ëndërrrën serbëve të çmendur me mite të paqena, pse ata të mos demonstrojnë edhe sot bazuar në të njëjtën narrativë si para 123 viteve?! Nuk janë pak 13 parti që demonstruan në Beograd. Por ama ata nuk mblodhën aq shumë simpatizantë e mbështetës. Ishin disa qindra dhe kaq pak mitingashë i gjen kudo. Propanda që shpërndajnë ata është e rrezikshme. Ndërkohë arsyeja e motivi i këtyre mitingashëve ishte kundërshtimi i ligjit të Kosovës për të huajt që qëndrojnë në këtë vend. Por Kosova nuk ka miratuar ndonjë ligj anti-demokratik. Në të gjithë botën ka ligje për të huajt me të cilat rregullohet qëndrimi i tyre i sigurt në vend. Edhe qeveria e parlamenti i Kosovës bëri të njëjtën gjë. Miratoi ligjin, sipas të cilit të huajt kanë të drejtë të hyjnë dhe qëndrojnë në Kosovë me kohë të caktuar dhe të drejta e detyrime të tjera”, u shpreh ai.
Zbatimi i ligjit në Kosovë dhe reagimet politike nga Serbia
Tutje, profesori thekson se Kosova po vepron si një shtet normal duke kërkuar që edhe serbët të respektojnë ligjet e saj, ndërsa ka treguar fleksibilitet duke u dhënë leje të përkohshme qëndrimi për ata që punojnë aty.
Nga ana tjetër, ai argumenton se kundërshtimet dhe protestat në Beograd janë të nxitura nga faktorë politikë dhe ekstremistë, me qëllim destabilizimin e situatës dhe jo për arsye reale ligjore.
“Serbët e Beogradit janë mësuar që të hyjnë e të dalin në Kosovë sipas dëshirës së tyre. Por kjo nuk mund të shkonte pa limite. Erdhi dita që edhe ata të zbatojnë ligjet e Kosovës. Megjithatë ankesat logjike të serbëve të Serbisë që punojnë në Kosovë qeveria Kurti iu përgjigj me lojalizëm. Pranoi që këta individë të pajisen me leje të përkohshme të qëndrimit dhe kësisoj edhe ata të pranojnë të zbatojnë ligjet dhe normat e shtetit të Kosovës. Ishte një zgjidhje racionale dhe që nuk pengon zbatimin e ligjit. Janë pak ekstremistë serbë që janë shqetësuar për këtë ligj. Janë ata që nuk duan pasaportë të Kosovës e njëkohësisht jetojnë në Kosovë. Po këta nuk duan targat e Kosovës dhe mbajnë ato të Serbisë. Ligji e ndalon dhe e kufizon kohën e qëndrimit të tyre. Por këta jetojnë në fakt në Kosovë. Atëherë ligji i detyron të marrin pasportat dhe dokumentet e targat e Kosovës. Duhej ta kishin bërë me kohë.
Tubimi në Beogradi ishte demonstrim i dështuar force. Me shumë gjasa ishte organizuar dhe sponsorizuar nga kryeterroristi i Banjskës, Milan Radoiçiq me dijeni të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Lideri autokrat i Serbisë po kërkon ndonjë varkë shpëtimi në kohët e tij në fund të karrierës politike. Sarajevo Safari iu ka bërë makth, aq sa edhe revista prestigjioze gjermane e europiane “Spiegel” e pasqyronte aktivitetin e tij kriminal në gjuetinë e njerëzve të pafajshëm. Ndaj dhe nuk është çudi që në këto kushte Vuçiq të aktivizojë të gjitha strukturat e dhunës paramilitare për destabilizimin e rajonit tonë. Dhe kjo mund të bëhet lehtë duke provokuar me akte terrori Kosovën”, shpjegon tutje ai.
Rreziku i retorikës së urrejtjes dhe nevoja për vigjilencë
Profesori thekson se konfliktet zakonisht paraprihen nga propagandë dhe nxitje urrejtjeje, dhe sipas tij Serbia po ndjek këtë rrugë ndaj Kosovës përmes retorikës dhe veprimeve politike.
Ai paralajmëron se, megjithëse disa zhvillime duken të dobëta, ekziston rrezik real për destabilizim, prandaj Kosova duhet të jetë e përgatitur dhe vigjilente për t’u mbrojtur.
“Nëse shohim të gjitha zhvillimet në prag konfliktesh, atëherë kuptojmë se luftrat dhe konfliktet paraprihen nga retorika dhe fushata e urrejtjes shtazore si dhe nga armatosja me armë sulmuese kundër vendeve tjera. Serbia po bën pikërisht këtë gjë. Po nxit urrejtje kundër Kosovës, pra kundër shqiptarëve, duke përdorur tubime të tilla, por edhe duke ushqyer armiqësi me justifikimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Eshtë interesant fakti se për akuzat e Vuçiq, të cilat janë thuajse të përditshme, kundër marrëveshjes në fjalë kanë reaguar çdo ditë kroatët, duke filluar nga presidenti dhe kryeministri. Por nuk kanë thënë asnjë fjalë kryeministri, ministri i Jashtëm dhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë. Këta kanë frikë të flasin e ta zenë në gojë emrin e presidentit të Serbisë. Këta janë peng i Beogradit dhe kanë ngrënë jo një lugë, por disa vorba me gjellë të prishur.
Pavarësisht faktit se tubimi në Beograd ishte një dështim, duhet të kuptojmë se motivi dhe synimi i aktiviteteve të tilla është me rrezik për Kosovën dhe rajonin. Ndërkohë që jam i bindur se Aleksandër Vuçiq do të përgatiste fundin e tij tragjik në rast të ndonjë aventure, duhet patur kujdes. Kujdesi në këtë rast shkon në drejtim të përgatitjeve serioze për t’u mbrojtur nga çdo aventurë serbe. Jam i bindur se qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme për këtë”, përfundoi profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.
