Lajme

Protesta kundër rezultatit të zgjedhjeve, arrestohen 38 persona në Serbi

Policia serbe ka arrestuar të paktën 38 persona që morën pjesë në një protestë kundër rezultatit të zgjedhjeve, për të cilat vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se ishin të padrejta.

Grupi opozitar Serbia Kundër Dhunës ka organizuar protesta që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, duke thënë se ka pasur mashtrime zgjedhore, veçanërisht në kryeqytetin, Beograd. Populistët qeverisës u shpallën fitues të zgjedhjeve parlamentare dhe të këshillave vendore.

Disa politikanë të opozitës reaguan duke hyrë në grevë urie. Të dielën në mbrëmje, protestuesit u përpoqën të hynin në bashkinë e Beogradit, duke thyer xhamat, policia ndërhyri duke shpërndarë turmën me gaz lotsjellës, sprej piper dhe shkopinj gome.

Por më shumë protestues janë mbeldhur ditën e sotme. Qindra u mblodhën jashtë selisë së komisionit shtetëror zgjedhor në Beogradin qendror përpara se të ecnin drejt selisë së policisë së qytetit, ku besohet se mbahen mbështetësit e opozitës të ndaluar.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo