Bota

Protesta masive në Turqi kundër arrestimit të Ekrem Imamoglut

Dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Stambollit dhe qyteteve të tjera turke për pesë natë radhazi, duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, një prej rivalëve më të fortë politikë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji për të shpërndarë turmat, ndërsa protestuesit kanë mbajtur pankarta pro-opozitës dhe kanë valëvitur flamuj turq. Përleshjet mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë janë përshkallëzuar në disa qytete, ndërsa Ministria e Brendshme turke ka raportuar mbi 340 të arrestuar.

Imamoglu u arrestua më 23 mars, vetëm disa ditë përpara se të shpallej kandidat i Partisë Republikane Popullore (CHP) për zgjedhjet presidenciale të 2028-ës. Ai akuzohet për korrupsion, marrje ryshfeti dhe krijimin e një organizate kriminale, akuza që ai i ka mohuar, duke i cilësuar si të motivuara politikisht.

“Nuk do të përulem kurrë,” shkroi ai në rrjetet sociale para arrestimit, ndërsa opozita e ka quajtur këtë veprim një përpjekje për eliminimin politik të kundërshtarit kryesor të Erdoganit.

TS Poll - Loading poll ...

Bashkëshortja e tij, Dilek Imamoglu, iu drejtua protestuesve duke e quajtur burgosjen e tij një padrejtësi që ka tronditur ndërgjegjen e çdo qytetari.

Kryetari i Bashkisë së Ankarasë, Mansur Yavas, e cilësoi këtë një turp për sistemin gjyqësor, ndërsa lideri i CHP-së, Ozgur Ozel, deklaroi se “ky është një grusht shteti kundër presidentit tonë të ardhshëm”.

Në arenën ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe liderë të ndryshëm kanë shprehur shqetësimin e tyre, duke paralajmëruar se ky veprim mund të dëmtojë edhe më shumë demokracinë turke.

Situata në Turqi mbetet e tensionuar, ndërsa protestat vazhdojnë dhe përplasjet me forcat e rendit priten të përshkallëzohen në ditët në vijim.



/tiranapost