Histori

Protestat ‘e përgjakshme’ në Iran/ Rëndohet bilanci, rreth 500 të vdekur dhe mbi 10,000 arrestime

Mediat shtetërore në Iran raportojnë se dhjetëra anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë gjatë protestave të shkaktuara nga kriza ekonomike, ndërsa kryetari i Parlamentit ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin me kundërpërgjigje në rast të një sulmi ndaj vendit.

Televizioni shtetëror iranian bëri të ditur të dielën se 30 policë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë humbur jetën në provincën Isfahan, ndërsa edhe gjashtë të tjerë janë vrarë në Kermanshah, në perëndim të vendit, gjatë trazirave të fundit.

Nga ana tjetër, agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim raportoi se numri i përgjithshëm i forcave të sigurisë të vrara në mbarë vendin ka shkuar në 109 që nga nisja e protestave.

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit njoftoi gjithashtu se një punonjës i saj ka humbur jetën gjatë një sulmi ndaj një ndërtese të ndihmës humanitare në qytetin Gorgan, kryeqendra e provincës Golestan.

Sipas mediave shtetërore, një xhami është djegur në qytetin Mashhad, në lindje të Iranit, mbrëmjen e së shtunës, duke shtuar më tej tensionet në vend.

Këto shifra viktimash vijnë në një kohë kur autoritetet iraniane po intensifikojnë përpjekjet për të shuar protestat më të mëdha të viteve të fundit. Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë, të revoltuar nga rritja e ndjeshme e çmimeve, inflacioni dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës.

Ministria e Brendshme deklaroi se “trazirat” po vijnë gradualisht drejt shuarjes, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm paralajmëroi se personat e përfshirë në dhunë mund të përballen edhe me dënimin me vdekje.

Të shtunën, Ali Larijani, një zyrtar i lartë i sigurisë, akuzoi disa protestues për akte ekstreme dhune, duke i krahasuar me veprimet e grupit terrorist ISIS, duke thënë se ata “kanë vrarë njerëz dhe i kanë djegur, njësoj siç vepron ISIS”.

Ndërkohë, profesori Hassan Ahmadian nga Universiteti i Teheranit, në një intervistë për Al Jazeera, deklaroi se protestat që nisën dy javë më parë u përshkallëzuan në dhunë të hapur të enjten, duke e cilësuar atë si “një nga ditët më të frikshme në Iran, përfshirë edhe Teheranin”.