ShowBizzz

Protestat në Tiranë, një person ka humbur jetën? Blendi Fevziu del me deklaratë publike pas raportimeve

Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar gjatë emisionit “Opinion” lidhur me informacionet që po qarkullojnë në rrjetet sociale për një person që pretendohet se ka humbur jetën.

Fevziu bëri të ditur se kishte marrë një numër të madh mesazhesh lidhur me këtë pretendim, çka e kishte shtyrë stafin e emisionit të kontaktonte drejtpërdrejt drejtuesen e Spitalit të Traumës për të verifikuar situatën.

Sipas gazetarit, përgjigjja e marrë nga institucioni shëndetësor ka qenë kategorike: nuk ka asnjë person të vdekur apo në rrezik për jetën, në lidhje me informacionet për të cilat është kërkuar verifikimi.

“Ka lajme për një person të vdekur. Stafi im ka kontaktuar drejtoreshën e Spitalit të Traumës, e cila mohon kategorikisht që të ketë një person në rrezik për jetën apo të vdekur”, deklaroi Fevziu.

Ai shtoi se mesazhet nga qytetarët vijonin të mbërrinin, ndërsa informacioni po shpërndahej përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Po më çojnë pafund mesazhe që është një postim në rrjet. Nga Spitali i Traumës, konfirmimi është jo!”, theksoi gazetari.

Deklarata e Fevziut vjen në një moment kur në rrjet po qarkullojnë informacione të pakonfirmuara për një viktimë. Megjithatë, sipas verifikimit që ai thotë se ka kryer stafi i emisionit, pretendimet nuk mbështeten nga informacioni i dhënë prej Spitalit të Traumës.

Për momentin, nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera mbi origjinën e postimit apo personin të cilit i referohen pretendimet.

Të Ngjashme