Lajme

Protestë kundër drejtësisë? Jasharët nuk dolën, Kurti nuk u pa – Osmani akuzohet se “i la në harresë vrasjet politike!”

Mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova u mblodhën të martën në Prishtinë, në një marshim masiv të organizuar në Ditën e Pavarësisë, për të shprehur mbështetjen ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, pjesëmarrësit theksuan se tubimi ishte një shprehje solidariteti dhe uniteti qytetar.

Pjesë e kësaj proteste ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa në marshim nuk mori pjesë kryeministri Albin Kurti dhe as ndonjë nga anëtarët e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.

Salihaj: Sa i përket familjes Jashari, edhe qëndrimi i saj për të mos marrë pjesë është i drejtë

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një prononcim për “Bota sot”, deklaron se formimin e Gjykatës Speciale e ka shtyrë më së shumti Hashim Thaçi, bashkë me Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqin, si dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas tij, Thaçi besonte se nuk do të gjykohej vetë, ndërsa shoqatat e luftës nuk e kundërshtuan themelimin e saj.

“Njeriu, i cili më së shumti është angazhuar për formimin e Gjykatës Speciale është pikërisht Hashim Thaçi. Njësoj kanë vepruar edhe Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi. Kjo duket ironike, por është e vërtetë. Po ashtu, edhe PDK-ja ka qenë partia më e angazhuar për formimin e saj. Thaçi kishte bindjen se ai nuk do të gjykohej, por do të gjykoheshin disa të tjerë rreth tij. Shoqatat e dala nga lufta nuk kanë qenë kundër formimit të kësaj gjykate. Madje, Thaçi thoshte se kush është kundër Gjykatës Speciale, është kundër UÇK-së”, thotë ai.

Sa i përket mospjesëmarrjes së Kurtit dhe familjes Jashari, Salihaj rikujtoi se Albin Kurti dhe partia e tij kanë qenë kategorikisht kundër Gjykatës Speciale.

Salihaj protestat e organizuara nga ata që e formuan vetë gjykatën i quan manipulim.

“Sa i përket Kurtit, ai dhe partia e tij kanë qenë kategorikë kundër formimit të saj.

Tash, çfarë logjike ka që të organizohen protesta kundër kësaj gjykate nga po ata që janë angazhuar më së shumti për formimin e saj. Kjo është vetëm formë manipulimi me ndjenjat e njerëzve, asgjë tjetër. Besoj se asnjë efekt nuk do të kenë këto protesta. Konsideroj se është plotësisht e gabueshme që krerët e institucioneve të dalin të protestojnë kundër një gjykate, të cilën e kanë formuar po ato institucione. Në njërën anë e formojnë këtë gjykatë, në anën tjetër dalin e protestojnë kundër saj. Këtu nuk ka sinqeritet. Mendoj se Presidentja Osmani, me këtë pjesëmarrje, nuk do të marrë ndonjë votë nga PDK-ja, as nuk do të bëhet më popullore. Bile, shumë viktima dhe përkrahës të saj do t’ia shohin për të madhe”, ka potencuar Salihaj.

Po ashtu, ai e konsideron si të drejtë qëndrimin e familjes së Adem Jasharit për mospjesëmarrje në protestë.

“Sa i përket familjes Jashari, edhe qëndrimi i saj për të mos marrë pjesë është i drejtë, sepse kjo protestë ishte për qëllime manipulative, asgjë tjetër” – përfundon ai për “Bota sot”.

Bajraj: Pa familjen Jashari dhe prezencën e saj, protesta mbetet puro-politike, e pa peshë nacionale dhe, mbi të gjitha, kundër drejtësisë

Kurse, veprimtari Fatmir Bajraj, në një përgjigje për “Bota sot”, e ka cilësuar protestën si një “marsh politik kundër drejtësisë”, duke pretenduar se ajo u organizua në mbrojtje të personave që, sipas tij, kanë qenë të përfshirë në atentate politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani nuk ka dallim konceptual sa i përket qëndrimit ndaj protestës, por vetëm dallim interesi politik.

Sipas Bajrajt, mospjesëmarrja e Kurtit mund të interpretohet si kalkulim politik, ndërsa prezenca e Osmanit lidhet me interesin e saj për mbështetje politike.

Bajraj ka theksuar se mospjesëmarrja e familjes Jashari e dallon atë parimisht nga liderët politikë, duke shtuar se pa prezencën e saj protesta mbetet, sipas tij, thjesht politike dhe pa peshë kombëtare.

“Në leximin tim, protesta ishte: ‘Marsh politik kundër Drejtësisë’ dhe në mbrojtje të atyre që kanë orkestruar dhe kryer atentatet politike, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Dallimi ndërmjet Kurtit dhe Osmanit është jo konceptual, nuk dallojnë në mbështetjen dhe solidarizimin me protestën puro-politike: ‘Drejtësi, jo politikë’, por për masën e interesit politik, ku mungesa e Kurtit mund të lexohet si kamuflim dhe ‘thikë me dy tehe’, derisa në anën tjetër, presidentja Osmani e kishte interes ‘jetik’ mbështetjen e PDK-së për vazhdimin e mandatit si presidente.

Dallimi i familjes Jashari me Kryeministrin Kurti, në mospjesëmarrjen në protestë, dallon parimisht dhe konceptualisht dhe, përderisa mospjesëmarrja e familjes Jashari në protestë lexohet dhe konceptohet me kritere dhe norma tjera morale, madje duke i mohuar asaj identitetin dhe integritetin patriotik dhe mbarëkombëtar.

Pa familjen Jashari dhe prezencën e saj, protesta mbetet puro-politike, e pa peshë nacionale dhe, mbi të gjitha, kundër drejtësisë!

Kurti si kryeministër dhe lider funksionon në binarë të tjerë politikë, duke e lexuar momentin dhe reflektuar konform interesave të tij personale dhe pushtetore.

Kurti, sot e shpall kriminel një eksponent politik, e nesër i thur lavde e elozhe për hero, dhe këtë e bën pa fije turpi, njësoj sikur presidentja Osmani, gjë që nuk është rasti me familjen e Rifat Jasharit.

Rifat Jashari dhe familja e tij, jo rrallëherë janë mashtruar e manipuluar, pse jo edhe janë prerë në besë nga ata që organizuan dhe u solidarizuan me protestën e djeshme, por si familje e namit dhe e lavdisë, janë të pakrahasueshëm me sojin e Kurtit dhe Osmanit”, tha ai.

Vjosa Osmani, sipas tij, nuk i ka kultivuar vlerat e LDK-së dhe as ato rugoviane, veçanërisht çështjen e zbardhjes së vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës.

Ai e akuzon Osmanin se e ka përdorur LDK-në dhe rugovizmin si mjet për avancim politik, duke e cilësuar qasjen e saj si “pragmatike dhe karrieriste”.

“Vjosa Osmani kurrë nuk ka kultivuar e as promovuar vlerat e LDK-së, përkatësisht ato rugoviane, përfshi vlerat më sublime të saj: zbardhjen e vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës çlirimtare; burrat dhe gratë më të mira të këtij vendi, të atentatuar pa hak, pa gjyq dhe pas shpine nga grupi i orkestruar kriminal, alias NPK.

Vjosa Osmani, LDK-në dhe rugovizmin, nuk e ka bindje, nuk e ka ideologji politike, pra nuk e ka koncept filozofik dhe as ideologjik, por levë dhe mekanizëm në ngjitjen e shkallëve të pushtetit; pra pragmatizmi i saj është në shërbim të interesave dhe egove karrieriste, dhe këtë fakt e ka provuar shumë herë në trajektoren e saj puro-karrieriste.

Pjesëmarrja e saj në protestën puro-politike të OML-së, përkatësisht të derivateve të saj, sot në të majtën shqiptare gjithandej në trojet etnike ku jetojnë shqiptarët, pra Shqipëri, Kosovë, Iliridë, Kosovë Lindore, nxjerr në pah hipokrizinë e presidentes Osmani për përkatësinë e saj ideologjike dhe, mbi të gjitha, e zhvesh lakuriq para familjarëve të viktimave të cilët ende nuk kanë verdikt gjykate për të atentatuarit, vetëm pse ishin institucionalistë dhe bashkëpunëtorë të presidentit Rugova”, u shpreh ai.

Në fund, Fatmir Bajraj deklaron për “Bota sot” se pjesëmarrja e presidentes Vjosa Osmani në protestë, sipas tij, dëshmon se ajo nuk ka qenë në anën e viktimave dhe se veprimi i saj ishte i motivuar politikisht.

Ai shton se përfshirja e liderëve institucionalë në protestë dëmton imazhin e Kosovës dhe perspektivën euroatlantike, duke shprehur shpresën që partnerët perëndimorë të mos e interpretojnë atë si qëndrim zyrtar të gjithë shoqërisë.

“Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, me pjesëmarrjen në protestë, provoi katërcipërisht se kurrë s’ka qenë në anën e viktimave, kurrë s’ka qenë LDK-iste dhe aq më pak rugoviste.

Vjosa Osmani dje, për vetëm edhe një mandat në presidencë, shkeli mbi gjakun e mbi 200 të atentatuarve dhe ‘rrëshqiti’ në shtratin kriminal të NPK-së, duke u bërë pjesë e një marshi absurd kundër Drejtësisë.

Presidentja Osmani dhe liderët tjerë politikë e institucionalë të gjithë gjeografisë shqiptare, me pjesëmarrjen dhe solidarizimin me protestën e organizuar nga OVL dhe platforma ‘Drejtësi, jo politikë’, dolën në mbështetje të të akuzuarve për krime lufte dhe krime të rënda kundër njerëzimit, duke e shpërfaqur kombin tonë si komb që nuk njeh dhe respekton vlerat kulminante të demokracisë perëndimore, ku rendi dhe ligji respektohen nga të gjithë.

Pjesëmarrja në protestën e djeshme e liderëve institucionalë, të partive politike dhe e figurave të njohura, ka dëmtuar rëndë vendin dhe perspektivën e tij drejt integrimeve europerëndimore dhe veriatlantike.

Uroj që miqtë dhe aleatët tanë perëndimorë të mos e marrin këtë protestë si manifestim politik-nacional, por vetëm si një reagim spontan të qarqeve dhe segmenteve të caktuara që nuk ndajnë vlerat e njëjta me shoqërinë tonë” – përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme