Lajme

PS miraton mes tensioneve rregulloren e re të Kuvendit

Ashtu si kur se është kthyer në traditë, edhe seanca e sotme plenare u zhvillua mes tensioneve, tymuesve dhe zhurmës.

Seanca e sotme zgjati rreth 9 minuta. Tensione pati gjithashtu edhe jashtë Kuvendit, pasi Garda nuk lejoi deputetët e përjashtuar të hynin në Parlament.

Sigurisht këta të fundit tentuan disa herë të hynin në Kuvend, por nuk ia dolën pavarësisht përplasjeve me Gardën.

Ndërkohë deputetët e opozitës që nuk ishin të përjashtuar hynë në Kuvend.

Ata u kujdesën sërish që të pajisen me tymues. Mes tymuesve dhe të zhurmës, Nikolla paraqiti projekt ligjet, të  cilat u votuan vetëm me votat e mazhorancës.

Nikolla vijoi  normalisht me leximin e neneve për miratimin e rregullores së re të Kuvendit.  Rregullorja e re u miratua pa diskutim, me 74 vota pro. Rregullorja  e re  përjashton me 2 muaj deputetët që shkaktojnë kaos në Kuvend duke penguar zhvillimin normal të seancës.

Opozita ka paralajmëruar se do ta mbajë këtë qëndrim për sa kohë mazhoranca nuk respekton të drejtat e opozitës dhe nuk pranon ngritjen e tetë Komisoneve Hetimore.

Në seancën e sotme plenare do të diskutohej edhe për marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për emigrantët, të cilën Gjykata Kushtetuese e kaloi dje për shqyrtim pas kërkesës së paraqitur nga opozita.

Për rrjedhojë marrëveshja për emigrantët nuk  kaloi sot në Parlament, sepse kur një çështje kalon për shqyrtim pezullohet automatikisht ratifikimi i saj në Kuvendin e Shqipërisë.

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo