Lajme

“Pse bllokoni e pse kërcënoni?” – Dosti: Opozita po refuzon çdo kompromis të ofruar nga Kurti

Publicisti dhe analisti Adriatik Riza Dosti ka reaguar ashpër ndaj opozitës së Kosovës lidhur me situatën politike dhe bllokadën institucionale në vend.

Në një postim të gjatë, Dosti ka kritikuar qëndrimet e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, duke i akuzuar për refuzim të propozimeve për zgjidhjen e krizës dhe duke kërkuar që të respektohet rezultati i zgjedhjeve.

Ai ka komentuar edhe veprimin e deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, në Kuvend, si dhe ka bërë thirrje për transparencë më të madhe në takimet mes pozitës dhe opozitës.

Postimi i plotë:

Drejtuar kryesisht Opozitës së Kosovës.

O jeni të trashë, o jeni armiq të deklaruar të Kosovës.

Sepse as vetë nuk e dini se çfarë po kërkoni… dhe se me këto që po bëni po i dilni hapur Kosovës dhe popullit të saj kundër.

Sepse është mjeran fakti që Kuvendi të jetë në duart e Ramushit, Ganës, Lumirit, e Time Kadrijajt që godet me vezë kryeministrin e vendit.

…Albini po ju thërret të takoheni… ju s’pranoni, po ju ofron marrëveshje, propozime e zgjidhje e ju i refuzoni… po ju ofron kompromise në të mirë të vendit e jo të partive politike, ju sërish i hidhni poshtë…

Po ju a thotë troç e publikisht se është në të mirë të Kosovës e popullit të saj që Presidenti të mos jetë pjesë e asnjë partie politike, por po ju thotë qartë, shqip e publikisht se… i propozuar nga ju, Opozita… të jetë një kandidat e një figurë mbarëpërfaqësuese dhe, mbi të gjitha, një figurë që të përfaqësojë inteligjencën, patriotizmin, atdhetarinë e unitetin kombëtar… e ju sërish refuzoni banalisht… e qëllimisht.

Presidenti duhet të jetë simboli i unitetit kombëtar e t’i përkasë vetëm Kosovës e popullit të saj dhe asnjë partie politike a lideri të saj… Ku është e keqja këtu dhe për çka ju e refuzoni këtë?

Flijeni mendjen e mos u bëni më serbë se serbët, veçmas ju, krerët e partive opozitare Hamza, Abdixhiku e Ramush-Gjini.

Kryeministri, postin e të cilit po e lakmoni fort, i përket asaj partie që është fituese në zgjedhje… e për këtë Kosova votoi në shumicë LVV-në e Albin Kurtin, ndaj dhe no comment.

Postin e kryetarit të Kuvendit Albini e LVV-ja e tij po jua jap juve, por ju nuk e pranoni pasi e quani thjesht “honorifik”.

Poste zv.kryeministrash, ministrash e zyrtarësh të lartë po ju ofron si formë bashkëqeverisjeje e në respekt të votuesit kosovar, e ju sërish refuzoni kokëfortësisht e pa asnjë lloj logjike.

Kuvendin nuk pranoni ta konstituoni edhe pse zgjedhjet janë certifikuar e njohur zyrtarisht prej të gjitha institucioneve shtetërore përkatëse.

Kërkoni me çdo kusht postin e presidentit gjoja në emër e në mbrojtje të balancimit të pushtetit e që i gjithë pushteti të mos jetë në duart e Kurtit e të LVV-së.

Në logjikë e në parim edhe unë jam plotësisht dakord me ju, por me një kusht ama…

Që presidenti të mos jetë as i Kurtit e LVV-së, por as edhe i juaji… i PDK-së, LDK-së e AAK-së… sepse absolutisht juve nuk ju takon.

Presidenti, qoftë kandidaturë prej LVV-së e Kurtit apo qoftë kandidaturë e PDK-së – Hamzës, LDK-së – Abdixhikut, AAK-së – Ramush & Gjinit, të mos jetë partiak, të mos jetë i asnjërit prej jush e të mos përfaqësojë absolutisht JO interesat e ndonjërit prej jush a të partive tuaja politike.

Sepse nuk ju takon… veçanërisht ju të Opozitës që nuk keni bërë asgjë në të mirë të Kosovës e të popullit të saj, përveçse keni penguar e keni vënë gurë nën rrota sa keni mundur.

Zgjedhjet nuk bëhen kot e as votat nuk numërohen kot… keni humbur e jeni disa herë radhazi humbës dhe populli ua ka bërë fare të qartë se nuk do më kurrë të qeveriset prej jush që me të drejtë kini vite që jeni në Opozitë… atëherë me çfarë guximi e kurajoje të çmendur e të dhunshëm po kërkoni të silleni si fitues e imponues?

Pse kërkoni atë që s’ju takon… pse pengoni e pse refuzoni… pse bllokoni e pse kërcënoni…

Pse doni patjetër Hamzën president ose dikë prej PDK-së së tij… pse doni me e kall krejt Kosovën vetëm e vetëm pse i ka rënë në kokë Ramushit me qenë president… pse Lumiri kërkon me përmbys gjithçka i del përpara vetëm e vetëm me ia larë borxhin politik Vjosa Osmanit e me e kandidu për presidente?

Marre ju qoftë të gjithëve… veçmas ju të Opozitës që me krejt çka po bëni o po vërtetoni se paskeni qenë e jeni të trashë vërtet, karrieristë e egoistë të sëmurë për pushtet… dhe para karriges suaj Kosova s’ju intereson hiç fare e kërkund.

Ose dilni e thuajeni hapur se tashmë jeni armiq të betuar të Kosovës e popullit të saj e që punoni e paguheni prej Tiranës antishqiptare të Ramës e Beogradit të Vuçiqit.

Së fundi kam një lutje e një propozim publik për ty, Albin, e LVV-në tënde…

Bëj një marrëveshje me mediat e vendit tënd… natyrisht jo me të gjitha, por me ato që meritojnë të quhen përçuese të fjalës së lirë, lirisë së fjalës e dinjitetit profesional… e që populli i ndjek, i respekton e i beson.

Ftoji në të gjitha takimet që ju bëni me Opozitën e me krerët e secilës parti politike… dhe kërkoju më pas që të pasqyrojnë realisht atë çka ngjet në çdo takim të tillë… mundësisht LIVE.

Në mënyrë që populli të mësojë, të kuptojë e të marrë vesh të vërtetën lakuriq, çka po ndodh e kush është për atë që Kosova të shkojë përpara e kush po pengon e saboton gjithçka e po bërtet njësoj sikur hajduti “kapeni hajdutin”.

Albin, mos mbaj mbi kurriz atë çka nuk të takon e që kundërshtarët e tu e armiqtë reale të Kosovës po ta adresojnë ty…

Mjaft më… Kosova kërkon zgjidhje… e jo më zgjedhje… OK!

A.R.D.

Të Ngjashme