Shëndetësi

Pse disa njerëz kanë shumë nishane

Nishanet atipike, të njohura si nevi displastikë, kanë rrezik më të lartë për zhvillimin e melanomës dhe duhet të kontrollohen rregullisht

Shumica e njerëzve kanë mes 10 dhe 40 nishane në lëkurë, sidomos në pjesët e ekspozuara ndaj diellit, ndërsa numri i nishaneve mund të varet nga faktorë si gjenetikaekspozimi në diell ose ndryshimet hormonale.

Nishanet janë rritje shumë të zakonshme në lëkurë dhe krijohen kur qelizat e pigmentit – melanocitet – grumbullohen. Shumica e nishaneve janë të padëmshëm, por nëse ka numër të madh, ose shfaqen nishane të rinj apo ndryshojnë të vjetrit, është e rëndësishme të ndiqet gjendja e lëkurës.

Shumica e nishaneve nuk janë kancerogjenë, por personat me 50 ose më shumë nishane mund të kenë rrezik të shtuar për kancer të lëkurës.

Kush i ka më shpesh nishanet?
Çdokush mund të ketë nishane, megjithëse personat me lëkurë më të çelët zakonisht kanë më shumë nishane sesa ata me lëkurë më të errët, sidomos nëse kalojnë kohë në diell.

Personat me lëkurë të çelët kanë më pak melaninë, pigment që e mbron lëkurën nga dielli, ndërsa lëkura më e errët ka më shumë melaninë; kjo mbrojtje shtesë nga dielli mund të jetë arsye pse tek ata zhvillohet numër më i vogël nishanesh, shkruan Health.

Shkaqet dhe faktorët e rrezikut
Studiuesit nuk e kuptojnë plotësisht pse shfaqen nishane të rinj, por është vërtetuar se disa faktorë mund ta rrisin gjasën:

• Ekspozimi në diell: Rrezet ultravjollcë (UV) të diellit ose të solariumit mund të çojnë në shfaqjen e nishaneve të rinj. Rrezet UV i nxisin melanocitet të prodhojnë më shumë pigment për ta mbrojtur lëkurën, dhe ky pigment mund të grumbullohet e të formojë nishane.
• Mosha: Shumica e njerëzve marrin nishane të rinj nga fëmijëria deri në të dyzetat. Personat më të moshuar zakonisht kanë më pak nishane sesa fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit e rinj.
• Historia familjare: Nishanet shpesh shfaqen në familje. Nëse ka histori familjare me nishane, lëkurë të çelët ose flokë të çelët, rritet gjasa e zhvillimit të nishaneve gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës.
• Gjenetika: Disa ndryshime gjenetike mund të rrisin rrezikun e nishaneve beninj (jo kancerogjenë) ose të melanomës.
• Ndryshimet hormonale: Shfaqja e nishaneve të rinj është e shpeshtë në periudhat e ndryshimeve hormonale, si puberteti ose shtatzënia.

Komplikimet e mundshme të nishaneve
Nishanet e zakonshëm zakonisht nuk janë të rrezikshëm. Megjithatë, rreth 1 në 10 të rritur ka të paktën një nishan atipik ose të pazakontë. Këta nishane, të quajtur nev displastik, kanë gjasë më të lartë se nishanet e zakonshëm të zhvillohen në një formë agresive të kancerit të lëkurës – melanomë.

Për të përcaktuar nëse një nishan është atipik dhe me rrezik të lartë, më së miri është të vizitohet dermatologu. Ai mund të vlerësojë madhësinë, formën dhe ngjyrën e nishanit për të përcaktuar nëse nevojitet testim shtesë.

Për t’i njohur shenjat e melanomës, mund të përdoret rregulli ABCDE:

• A – asimetria: Nishani ka formë të pazakontë dhe njëra gjysmë nuk përputhet me tjetrën.
• B – skaji: Skajet e nishanit janë të çrregullta dhe të pabarabarta.
• C – ngjyra: Ngjyra e nishanit është e pabarabartë dhe mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Ngjyra të pazakonta mund të përfshijnë të zezë, të kuqe, blu, të bardhë ose rozë.
• D – diametri: Nishani është më i gjerë se 6 milimetra, afërsisht sa gjerësia e gomës së lapsit.
• E – evoluimi : Ngjyra, forma ose madhësia e nishanit ka ndryshuar me kalimin e kohës.

Si të parandalohet melanoma

Nuk është gjithmonë e mundur të parandalohet melanoma, por rreziku mund të ulet duke e mbrojtur lëkurën nga rrezet UV të diellit. Ndihmojnë:

• Pushime të shpeshta në hije
• Mbajtja e syzeve të diellit për mbrojtjen e syve
• Shmangia e solariumit.

Kur të kërkohet ndihmë mjekësore
Rekomandohet vizita te mjeku ose dermatologu në rast të një nishani të ri ose të ndryshuar, kur ka dyshim për kancerogjenitet. Diagnostikimi i hershëm është i rëndësishëm. Melanoma në fazë të hershme është e shërueshme dhe dermatologu mund t’i heqë nishanet e dyshimtë para se kanceri të përparojë.

Shenjat ku duhet kushtuar vëmendje janë:

• Nishan i ri që shfaqet në moshë të rritur
• Nishan që i ndryshon ngjyra, forma ose madhësia
• Nishan me plagë të hapur që nuk shërohet
• Nishan me skaje të ashpra ose të ngritura.




Të Ngjashme