Besimtarët ortodoksë kremtuan festën e Shën Mërisë në Manastirin e Zvërnecit, konsideruar si “Pashka e Verës”. Banorët të Vlorës por dhe pushues ndezën qirinj dhe u lutën për mbarësi.
Besimtarët ortodoksë kremtuan festën e Shën Mërisë në Manastirin e Zvërnecit, ku ndezën qirinj dhe ndoqën meshën e shenjtë.
Festa nisi mbrëmjen e 14 gushtit dhe kulmoi më 15 gusht, që është dita kur Shën Mëria iu bashkua të birit të saj, Jezusit. At Jani Tereziu shpjegon se kjo festë, ndër më të rëndësishmet për besimtarët ortodoksë, quhet ndryshe edhe “Pashka e Verës”.
“Në gjuhën tonë e themi Pashka e Verës, ishte Nëna e Perëndisë që e solli në tokë për shpëtimin tonë, ishte e vetmja rrugë për të shpëtuar njerëzimin. Nëna e perëndisë ka rëndësinë e vet në besimin tonë, ashtu siç kanë nënat në shtëpitë tona rolin e rëndësishëm dhe ashtu si fëmijët më parë shkojnë te nëna, ashtu t’i drejtohemi edhe ne Shën Mërisë si nëna jonë të na ndihmojë të gjithëve për paqe e harmoni e shëndet në jetët tona”, shprehet At Jani Tereziu.Kremtimeve ju bashkuan jo vetëm besimtarë ortodoksë të zonës, qytetarë nga rrethe të tjera, por edhe turistë që ndodhen në Vlorë për pushime.
Lutjet e tyre janë për më shumë mbarësi në familje: “Kënaqemi kur vijmë këtu mbushemi me frymëzim për veten për fëmijët!” “Lutemi për fëmijët, për njerëzimin, për të afërmit”-, shprehen besimtarët.
Pas ritualeve fetare besimtarët e krishtere festojnë në familjet e tyre festën e Shën Mërisë.