Rruga është e ngushtë dhe në gjendje jo të mirë.
Madje, sa herë që dy vetura përballen, njëra prej tyre detyrohet të kthehet mbrapa.
Por, pavarësisht kushteve të vështira së fundmi kjo rrugë u përshkua nga vetura të shumta të autoriteteve kosovare.
Kjo meqë rruga prej 9.2 kilometrave nga Zubin Potoku, të shpie në një fshat malor, të quajtur Kalludër e Vogël.
E pikërisht këtë terren të vështirë në prillin e vitit 1999, dyshohet se përzgjodhën edhe forcat serbe.
Krejt kjo dyshohet se u bë për t’i fshehur gjurmët e masakrës ndaj 23 burrave, brenda një varri masiv në thellësi të fshatit që ndodhet afër kufirit me Serbinë.
E u deshën të kalonin plot 27 vjet nga kjo ngjarje, që autoritetet kosovarë të bien në gjurmë të disa mbetjeve mortore, që dyshohet se u përkasin “Grupit të Intelektualëve”
Këtu tash e tri ditë, po sigurohet lokacioni për fillimin e gërmimeve.
Për këtë, të enjten në vendngjarje, erdhi edhe vet ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
E në këtë lokacion që po trajtohet si vend me rëndësi të lartë hetimore, të enjten u pa edhe vet kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.
Pasi e pa nga afër vendin ku dyshohet për varrezë masive, Isufaj dha lajmin që e prisnin të gjithë.
“Po, gërmimet kanë filluar. …. Ky proces mund të zgjasë dhe nuk mund të themi se kur do të përfundojë. Ajo që ka shumë rëndësi është se identifikimi merr kohë dhe kërkon standarde për marrjen dhe identifikimin e secilit trup përmes ADN-së”, u shpreh Isufaj.
Gjithë procesin nga afër po e përcjellin edhe ekipe të EULEX-it.
Ndërkaq vendi gjatë gjithë kohës po sigurohet nga njësitet më elitë të Policisë së Kosovës.
Ndryshe, të martën u arrestuan dy serbë në Zubin Potok, si të dyshuar për pjesëmarrjen në vrasjen dhe fshehjen e trupave në këtë lokacion të 23 burrave shqiptarë.
Kurse të mërkurën, Gjykata Themelore në Prishtinë, u caktoi masën e paraburgimit prej 1 muaji.
