LifeStyle

“Pse, Gondolat Veneciane janë ngjyrë të zezë?”

Siç e dimë, një gondolë është një varkë e gjatë dhe e lehtë veneciane, me bash e kiç të ngritur e të kthyer, me fund të sheshtë. Gondola ka pësuar shumë ndryshime në shekuj, si në strukturë, edhe në aspektin estetik.

E përmendur për herë të parë më 1094-ën, nga drejtuesi i shtetit venecian për epokën, Vitale Falier, gondola kthehet në mjetin kryesor të qarkullimit në Venecia për çdo klasë sociale. Mirëpo në vijim, aristokratët dhe borgjezia e epokës përkatëse, qenë ata që e shndërruan gondolën në një simbol pasqyrimi mirëqenieje dhe niveli të lartë ekonomik. Kështu që asokohe, lustrat, shkëlqimi, ngjyrat e këtyre mjeteve lundruese u bënë aq të ekzagjeruara, sa që Senati i Republikës së Venecias, pikërisht me synimin për të ndalur atë dukuri që tashmë ishte kthyer në kompeticion, vendosi një gjobë për gondolat e ngarkuara me zbukurime të tepruara.

Ama, gjoba nga ana e Senatit nuk funksionoi. Ajo rezultoi e kotë.

Shumë të pasur parapëlqenin më mirë që të paguanin gjobat dhe të mos hiqnin dorë nga zbukurimet e gondolave, kthyer në status simbol tashmë për ta. Republika e Venecias arriti deri aty sa, rreth 1500-ës të krijonte një institucion të veçantë, një gjykatë të posaçme, e cila shqyrtonte pikërisht e me rreptësi rastet e shpërdorimit të lekëve nga individë nëpër territorin e Venecias, rastet e mburrjes me paratë e shpërdoruara nga kush i kishte ato mundësi. Ky institucion quhej “Gjykata e Pompave” -” Tribunale alle Pompe”.

Atëherë, gjykatësi përkatës, autoriteti më i lartë institucional për këtë aspekt në atë epokë në Venecia, vendosi në periudhën midis 1500-1600-ës, që të gjitha gondolat të lyheshin në mënyrë uniformë me bojë të zezë, madje edhe të mbuloheshin me një pëlhurë të leshtë po ashtu me këtë ngjyrë.

Si simbol barazie për të tërë, pa dallime sociale dhe përqendruar në funksionin parësor të gondolës si mjet lëvizjeje e qarkullimi dhe jo si mjet luksi të ekzagjeruar nga disa të pasur.

Për këtë ngjyrë të zezë të gondolave, pati lindur edhe një hipotezë tjetër: Ajo që simbolizonte zinë e mbajtur në respekt të mijëra viktimave që pati shkaktuar epidemia e zgjebes përhapur në vend, duke nisur që në vitin 1630 por, kjo hipotezë është shmangur dhe përgënjeshtruar nga historianët.

Të Ngjashme