Lajme

Pse janë “ftohur” raportet Osmani-Kurti? Drenori shpjegon arsyet

Zhvillimet e fundit politike në Kosovë kanë vendosur sërish në fokus raportet mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrit Albin Kurti.

Veprimet dhe deklaratat e fundit të Osmanit, përfshirë vendimin për shpërndarjen e Kuvendit dhe qëndrimet kritike ndaj qeverisë, kanë shkaktuar reagime të ashpra në skenën politike dhe kanë ngjallur pikëpyetje mbi arsyet që qëndrojnë pas ndryshimit të qasjes së saj ndaj ekzekutivit.

Analisti Xhavit Drenori, thotë për “Bota sot” se ndryshimet në qasjet politike mes liderëve, si ato mes Kurtit dhe presidentes Osmani, janë të zakonshme.

Ai vëren se marrëdhënia e tyre ishte e mirë pesë vitet e fundit, por tani ka tension, pjesërisht për shkak të një dekreti të nxjerrë shpejt nga presidentja, veprim që Drenori e quan të nxituar dhe potencialisht problematik.

“Në politikë madje mund të quhen normale kur lidert e ndryshëm në një moment të caktuar kanë mendime të ndryshme që realisht i artikulojnë ndryshe dhe i ndajnë rrugët në kuptimin e qasjes politike, në këtë ras e shoh një gjë të tillë.

Për aq sa ka qenë marrëveshja mes Kurtit dhe Osmanit, pra presidentes, ka shkuar gjithçka në rregull, në 5 vitet e kaluara, tash është një momentum i ri që Kurti nuk e sheh më si partnere të bashkëpunojnë ose bashkëveprojnë.

Në anën tjetër, me gjasë ka një hatërmbetje prej presidentes Osmani dhe ka ndodh kjo që ka ndodhë. Ajo që ëshë më shqetësuese është dekreti që e nxori ngutshëm presidentja dhe ajo do t’ faturohet me siguri asaj, se ishte veprim i ngutshën, derisa unë i quaj këto gjëra normale, se ka njerëz që pajtohen e që mund të mos pajtohen me situata të caktuara”, përfundon ai për “Bota sot”.

Kujtojmë, se Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit.

Nga data 9 mars e deri më 31 mars, Kushtetuesja ua ndalon çdo veprim Kuvendit dhe Presidentes lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur, ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës, masë të përkohshme në rastin KO 72/26, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit [nr. 24/26] të Presidentes së Republikës së Kosovës të 6 marsit 2026. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të lartcekur është parashtruar në Gjykatë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetues të Republikës së Kosovës.

Të Ngjashme