Kompanitë po e rishkruajnë fjalorin e brendshëm të punës dhe nuk është thjesht “kozmetikë”.
Nga “punonjës” te “rishpikës”. Nga “recepsionist” në “drejtor i përshtypjes së parë”.
Titujt po shndërrohen në mjet strategjik për kulturë, rekrutim dhe motivim.
Accenture ka nisur t’i quajë rreth 800 mijë punonjësit e saj “rishpikës”, në kuadër të një ristrukturimi që synon ta pozicionojë kompaninë si partner kyç për “rishpikjen” e bizneseve me inteligjencë artificiale. Mesazhi është i qartë, identiteti profesional po lidhet drejtpërdrejt me ambicien strategjike.
Fenomeni shtrihet gjerësisht në teknologji.
Te Yahoo, ekipi i sigurisë së informacionit njihet si “paranoikët”, një emërtim që sipas drejtuesve sinjalizon vigjilencë maksimale për sigurinë e përdoruesve.
Në Microsoft, një drejtues i programeve të IA vetë-përkufizohet si “chief troublemaker”, duke nënvizuar eksperimentimin dhe inovacionin si pjesë të rolit.
Ekspertët e talenteve e shohin këtë si përpjekje për të formalizuar funksione të reja, veçanërisht në fusha ku gjuha profesionale ende nuk është konsoliduar.
Financial Times shkruan se rolet që dikur dukeshin “të çuditshme”, si për shembull “chief growth officer”, sot janë bërë standard në LinkedIn.
Kultura luan rol kyç.
Te Innocent Drinks, titujt “lozonjarë” reflektojnë identitetin e markës.
Te Lululemon dhe Nike, punonjësit e dyqaneve quhen “edukatorë” dhe “atletë”, për të theksuar përvojën dhe ekspertizën ndaj klientit.
Për kompani më të vogla, tituj si “chief vibes officer” shërbejnë edhe si magnet rekrutimi, duke sinjalizuar energji dhe diferencim.
Ka edhe një arsye të fortë njerëzore pas këtij trendi. Angazhimi i punonjësve në SHBA-të ra në nivelin më të ulët të dekadës në vitin 2024.
Në këtë kontekst, disa organizata nisin krijimin e roleve të dedikuara për vlerësimin dhe mirëqenien e stafit, madje edhe në nivel C-suite.
Por, ekziston dhe frika që titujt pa përmbajtje reale mund të duken si fasadë. Nëse nuk shoqërohen me investime të vërteta në njerëz dhe kulturë, emërtimet “cool” mund të kthehen në shaka të vjetra, jo në sinjale ndryshimi domethënës.
