Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj planit të Mbretërisë së Bashkuar për t’ia transferuar sovranitetin e Ishujve Chagos Mauritius, duke paralajmëruar që të mos preket ishulli strategjik i Diego Garcia.
“Mos e dorëzoni Diego Garcian”, ka deklaruar Trump në një postim në rrjetet sociale, duke theksuar se heqja dorë nga ky territor do të ishte “një plagë për Aleatin tonë të Madh”. Sipas tij, toka nuk duhet t’i merret Britanisë.
Reagimi i tij vjen edhe pse Uashingtoni, vetëm një ditë më parë, kishte dhënë mbështetje zyrtare për planin e Londrës që parashikon heqjen dorë nga sovraniteti i Territorit Britanik të Oqeanit Indian dhe kalimin e tij nën administrimin e Mauritiusit.
Në përgjigje, Ministria e Jashtme britanike e cilësoi marrëveshjen për Ishujt Chagos si “thelbësore për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të saj”, duke theksuar se ajo garanton funksionimin afatgjatë të bazës ushtarake.
Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbrojtur më herët marrëveshjen, duke argumentuar se është e domosdoshme për të siguruar vazhdimësinë e operimit të bazës, në kushtet kur Mauritiusi ka kundërshtuar vazhdimisht ligjshmërinë e sovranitetit britanik mbi arkipelagun.
Diego Garcia, ishulli më i madh i arkipelagut Chagos, shërben si bazë e përbashkët ushtarake për forcat e armatosura të Britanisë dhe SHBA-së. Sipas marrëveshjes së shpallur në maj të vitit të kaluar, Londra do ta marrë me qira ishullin për 99 vite.
Deklaratat e fundit të Trump vijnë në prag të bisedimeve të planifikuara mes SHBA-së dhe Mauritiusit, të cilat pritet të zhvillohen javën e ardhshme.
/tiranapost
