Histori

Pse lindja e një foshnje pas 30 vitesh u bë një simbol shprese në këtë vend të Italisë që përballet me një krizë…

Lindja e foshnjës Lara Bussi Trabuco në fshatin Pagliara dei Marsi në Abruzzo të Italisë u bë një simbol shprese në një vend që përballet me një krizë të thellë demografike, pasi ajo ishte foshnja e parë e lindur në fshat në pothuajse 30 vjet dhe ardhja e saj e rriti popullsinë në rreth 20 banorë.

Pagëzimi në kishën lokale u ndoq nga praktikisht i gjithë komuniteti, raportoi Guardian.

Nëna e saj, Cinzia Trabuco, një mësuese muzike, u zhvendos nga Roma në fshatin e lindjes së gjyshit të saj me dëshirën për ta rritur fëmijën e saj larg nxitimit dhe zhurmës së qytetit, ndërsa partneri i saj, Paolo Bussi, është një punëtor ndërtimi vendas.

Italia është përballur me të ashtuquajturin “dimër demografik” – në vitin 2024, u regjistrua një numër minimal historik i lindjeve, me një shkallë fertiliteti prej vetëm 1.18 fëmijësh për grua.

Trendi është veçanërisht i theksuar në Abruzzo, ku numri i të porsalindurve u ul më tej gjatë vitit 2025.

Qeveria e kryeministres italiane Giorgio Meloni prezantoi stimuj financiarë si “bonuse për fëmijë” dhe pagesa mujore, të cilat i merrte edhe familja e Larës.

Megjithatë, prindërit dhe zyrtarët vendorë paralajmërojnë se paratë nuk janë të mjaftueshme.

Mungesa e kopshteve, mbyllja e shkollave dhe reparteve të maternitetit, vendet e pasigurta të punës dhe mbështetja e dobët për nënat që punojnë mbeten problemet kryesore, shkruan Guardian.