Lajme

“Pse mban kukullën e Putin në tavolinën e punës”? Gazetari italian zë ngushtë Edi Ramën

Kryeministri shqiptar Edi Rama u shfaq ditën e djeshme në “prime time” në T7 në Itali në një intervistë me gazetarin italian Federico Markoni.

Më së shumti gazetari e pyeti për zërat nëse këtë verë kryeministri shqiptar ishte takuar me Giorgia Melonin meqë kjo e fundit ishte “zhdukur” katër ditë nga qarkullimi në Itali, por kryeministri shqiptar e mohoi. Ndërkohë, një detaj në tavolinën e punës së kryeministrit shqiptar, tërhoqi vëmendjen e gazetarit italian.

Faleminderit kryeministër që pranuat intervistën tonë.

Nuk mund të refuzoj asnjëherë gazetarët italianë. I dua…

Të gjithë, të gjithë?

Të gjithë. Është një dashuri e pakushtëzuar.

Jo të gjithë kryeministrat mendojnë si ju…

Sepse nuk e dinë se ç’është dashuria.

Haha, duhet t’ia thoni Giorgia Melonit që vazhdon të refuzojë të japë intervistë për emisionin tonë…

Unë nuk refuzoj ndonjë emision, apo ndonjë gazetar se unë them gjithmonë se ju bëni punën tuaj dhe që në fund të fundit asnjë pyetje nuk është e gabuar.

Raporti me Giorgia Melonin me një kryeministre që përfaqëson të djathtën, të djathtën. Si ka ndodhur kjo?

Kush e njeh nuk ka mundësi të mos ketë një raport të mirë me të. Sepse ajo është një person i vërtetë dhe e drejtpërdrejtë. Nuk ka rëndësi nëse kryeministri italian është i majtë apo i djathtë, është demokristian apo demokrat, apo legalitetit apo gjithfarë ngjyrimi politik. Është kryeministri i vendit më të afërt dhe më mik, me të cilin Shqipëria është e lidhur prej një jete. Për mua ideologjitë kanë rënë që kur ra Muri i Berlinit. Nuk ishim në plazh duke parë yjet dhe në mënyrë romantike doli apo lindi kjo ide. Ishte ndryshe.

Pra ka ndodhur më parë…

Po ka pasur diskutime më parë.

Por qendrat në Shëngjin e Gjadër kanë kushtuar shumë. Janë shtyrë disa herë dhe nuk janë akoma gati. Nuk është diçka propagandistike apo një zgjidhje e vertetë e problemeve reale?

Këto janë llogari që i bën qeveria italiane. Shqipëria nuk ka ndonjë kosto. Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjesi ligjore. Shqipëria ka dhënë disponibilitetin për të mirëpritur një operacion italian në një territor që do të mbikqyret tërësisht nga Italia.

Ju jeni mik i madh edhe për një ish kryeministër tjetër Massimo D’Alema. I keni kërkuar ndonjëherë këshillë për këtë operacion?

Massimo D’Alema është një mentor për mua. Dhe unë miqësinë me të e mbaj në zemër si një medalje nderi. Është e vështirë për ju të kuptoni se nga vijmë ne. unë jam rritur në diktaturë. Massimo D’alemën unë e shihja në televizion si shumë të tjerë. Më pas ai mori detyrën e kryeministrit. Unë asnjëherë nuk e kisha menduar se do të kisha nderin që do të thërritesha prej tij si një mik i tij. Kur më kërkojnë mua sesi do të jetë Shqipëria e së ardhmes dhe që ka shumë që mendojnë se një ditë do të jemi si Gjermania, unë ju them: po shikoni Italinë. Ajo është Shqipëria e së ardhmes.

Vitin e kaluar Giorgia Meloni ishte turiste në Shqipëri. Po këtë vit e keni takuar?

Jo këtë vit gjatë verës nuk jemi parë.

Po pse në Itali qarkulluan zëra se për 4 ditë që u zhduk, kishte ardhur këtu për t’ju takuar…

Po, por në Itali qarkullojnë zëra për gjithçka e për të gjithë, por kjo nuk është e vërtetë. Do ishte bukur të ishte e vërtetë por nuk është.

Dhe një pyetje që nuk e kisha planifikuar. Pse e ke Putin në skrivaninë tënde?

Se më pëlqen ta shoh si një kukull. Të kesh aftësinë e autoironis, të kesh sensin e ironisë së historisë edhe nëpërmjet këtyre objekteve të vogla, është e rëndësishme për të mos qenë skllav i historisë dhe të mos e marrësh veten shumë seriozisht.