Shkencëtarët dhe psikologët prej kohësh kanë vënë re një fenomen që prek pothuajse çdo marrëdhënie: pas rreth tre viteve, dashuria nuk ndihet më e njëjtë si në fillim. Çiftet që në muajt e parë përjetojnë pasion të zjarrtë, gjeste të mëdha romantike dhe një magnetizëm të pakontrollueshëm, papritur e gjejnë veten në një realitet të ftohtë ku emocionet nuk kanë më të njëjtën fuqi.
Studimet tregojnë se kjo nuk është rastësi. Biologjia luan rolin e saj të pamëshirshëm: hormonet e pasionit si dopamina dhe adrenalina që shpërthejnë në fillimet e lidhjes, zakonisht zhduken pas dy deri në tre viteve, duke lënë pas një boshllëk që shpesh interpretohet si mungesë dashurie.
Meshkujt, të cilët shpesh e lidhin emocionin me ndjesinë e pushtimit dhe risisë, e ndjejnë më shumë këtë ndryshim. Ajo që dikur i shtynte të luftonin për çdo mesazh, çdo takim, çdo përqafim, fillon të shuhet sapo rutina vendoset dhe siguria emocionale bëhet pjesë e jetës së përditshme. Kjo është arsyeja pse shumë gra ndihen sikur “ai nuk më do më njësoj”. Por e vërteta është më komplekse: nuk bëhet fjalë gjithmonë për mungesë dashurie, por për një transformim të saj.
Dashuria kalon nga një zjarr që digjet fort në një prani më të qetë, më të matur, që kërkon kujdes dhe ushqim të vazhdueshëm për të mos u shuar krejt. Megjithatë, ky tranzicion shpesh bëhet fatal për çiftet që nuk e kuptojnë natyrën e tij.
A është dashuria thjesht një iluzion trevjeçar që më pas tretet në rutinë? Apo është një provë e madhe që vetëm ata që dinë të luftojnë për të mund ta mbajnë gjallë? Pyetja mbetet e hapur, por një gjë është e qartë: pas tre viteve asgjë nuk është më njësoj.
