Parlamenti i Republikës së Shqipërisë në datën 16.03.2023 miratoi ligjin 21/2023 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998”. Ndër ndryshimet kryesore që parashikohen në Kodin Rrugor janë këto:
– Rritja e shpejtësisë së lejuar në disa prej akseve rrugore në vend nga 110 km/h në 130 km/h (për autostradat).
– Rinovimi i Lejes së Drejtimit të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE çdo 15 vjet deri në moshën 70 vjeç. Pra, kufizimet e afatit që nisnin nëse rinovoje LD pasi mbushje 50 vjeç (5/3/2 vite afat, në progresion zvogëlues) do të nisin nëse rinovon LD, pasi ke mbushur moshën 70 vjeç. (Shembull: Fitoni për herë të parë Leje Drejtimi B kur jeni 18 vjeç, rinovoni LD kur jeni 33 vjeç, 48 vjeç, 63 vjeç e në rinovimin e moshës 78 vjeç nisin afatet e shkurtuara).
– Zgjatje në 70 vjeç, nga deri 65 që është, e së drejtës për Leje Drejtimi profesionale (me kufizim: Lejedrejtimet e kategorive C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE janë të vlefshme për 5 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç; për personat mbi 65 vjeç: lejedrejtimi e kategorive C dhe CE lëshohet për drejtimin e mjeteve, masa e përgjithshme e të cilave, me ngarkesë të plotë, nuk është më shumë se 20 ton – lejedrejtimi e kategorive D1 ose D, apo D1E ose DE lëshohet vetëm për drejtimin e mjeteve shërbim taksi ose transport udhëtarë me mjet deri 8+1).
– Zgjatje e së drejtës për ushtrimin e profesionit të Instruktorit të Autoshkollës deri në 70 vjeç, nga 65 vjeç që është.
– Qytetarët të cilëve u është anuluar Leja e Drejtimit (shqiptare) për efekt konvertimi jashtë vendit, mund të rimarrin Leje Drejtimin (shqiptare) pa testim, drejtpërdrejt edhe nëse Leja e Drejtimit e huaj ka skaduar, pasi e dorëzojnë atë dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.
Neni 140 i Kodit Rrugor:
Në pikën 1, fjalët “110 km/orë për autostradat” zëvendësohen me fjalët “130 km/orë”. Ligji e ngarkon Ministrinë e Infrastrukturës të ndryshojë tabelat dhe akoma vazhdojnë tabelat e vjetra, duke konfuzuar qytetarët (përkatësisht autostrada Fier – Vlorë, Tiranë – Elbasan dhe Rruga e Kombit kanë segmente ku akoma janë tabelat 110 si ajo në foton e ilustruar, ku duhet te ishte vendosur tabela me limitin e ri 130, siç dhe e parashikon ligji). Qytetarët nuk janë të detyruar të mbajnë Kodin Rrugor me vete, kur shteti ka tabela dhe shenja orientuese.
Edison Haklaj, konsulent ligjor