Shtimi i mishit të derrit pa yndyrë në dietë mund të ndihmojë në jetesë më të gjatë, pasi prerjet minimale të përpunuara ofrojnë përfitime shëndetësore të krahasueshme me qiqrat, thjerrëzat dhe fasulet, sipas një studimi të ri shkencor.
Vitet e fundit, mishi i derrit ka qenë shpesh në qendër të kritikave, me thirrje që produkte si proshuta dhe sallami të mbajnë paralajmërime të ngjashme me ato të cigareve, për shkak të lidhjes së tyre me rrezikun e kancerit të zorrës së trashë. Megjithatë, një studim i ri nga SHBA sugjeron se mishi i kuq i përpunuar minimalisht, i përfshirë në një dietë të orientuar drejt ushqimeve bimore, mund të ketë efekte pozitive në treguesit biologjikë të plakjes fizike dhe njohëse.
Hulumtimet prej kohësh kanë treguar një lidhje mes shëndetit të dobët metabolik dhe sëmundjeve si demenca, diabeti i tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës, ndërsa obeziteti lidhet fort me rënien njohëse të lidhur me moshën. Sipas Sabës Vaezi, eksperte e ushqyerjes klinike dhe bashkautore e studimit, ndërhyrjet në stilin e jetesës që synojnë përmirësimin e shëndetit metabolik kanë potencial të madh për ruajtjen e funksioneve fizike dhe mendore tek të moshuarit.
Studimi, i publikuar në revistën Current Developments in Nutrition, përfshiu 36 persona të shëndetshëm, të moshës 65 vjeç. Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht në dy grupe: njëri ndoqi një dietë ku burimi kryesor i proteinës ishte mishi i derrit pa yndyrë dhe i përpunuar minimalisht, ndërsa grupi tjetër konsumoi qiqra, thjerrëza, bizele të thata dhe fasule të zeza.
Mishi i derrit u përgatit në furrë rrotulluese, vetëm me vaj ulliri dhe kripë, duke lejuar që yndyra e tepërt të kullojë natyrshëm gjatë gatimit. Për tetë javë, pjesëmarrësit u kërkua të shmangnin ushqime jashtë planit të studimit, përfshirë sojën, mishin e viçit, shpendët, peshkun, ëmbëltuesit artificialë, alkoolin dhe suplementet.
Çdo vakt përfshinte ushqime bimore, si dhe sasi të moderuara vezësh, produktesh të bulmetit dhe vajrash bimore. Pas periudhës tetëjavore, u aplikua një pauzë dyjavore ku pjesëmarrësit u kthyen në dietën e zakonshme. Në fund të çdo faze, ata plotësuan pyetësorë për të konfirmuar respektimin e planit ushqimor dhe gatishmërinë për ta vazhduar dietën edhe pas studimit.
