LifeStyle

Pse mosha 40+ është më e palumtura për gjeneratën Millennials?

Detyrimet familjare dhe financiare, rënia e energjisë, simptomat e menopauzës, rrudhat e para apo flokët e thinjura janë disa nga sfidat me të cilat përballet një grua që ka kaluar të dyzetat.

Ndonjëherë sfidat lidhen edhe me pritshmëritë sociale pas një moshe të caktuar, ndonëse mund të mos kenë asnjë ndikim thelbësor në jetën e një personi mbi 40 vjeç.

Megjithatë, ekspertët shprehen se “Millennials”, pas moshës 40-vjeçare, kalojnë periudhën më të palumtur të jetës së tyre.

Në fakt, sipas një artikulli të fundit në “Guardian”, nga gazetarja Sophie Brickman, studimet tregojnë se mosha më e palumtur në jetën tonë është mesatarisht 47.2 vjet.

“Nuk është për t’u habitur. Ne punojmë dhe kujdesemi për fëmijët gjithnjë e më shumë. Dakord, ne gjithashtu shpenzojmë më shumë kohë në aktivitetet e kujdesit personal, megjithëse shpesh herë në këtë bashkësi aktivitetesh konsiderojmë dhe gjërat minimale, si gjumi”, shkruan ajo.

Sophie, nënë e tre fëmijëve, shtoi se kohën e lirë e kalon në mënyrë dëshpëruese duke mos e shfrytëzuar pozitivisht.

“Eshtë e panevojshme të thuhet, nuk kam nevojë për sondazhe dhe anketa për të treguar se koha ime e lirë po reduktohet gjithnjë e më shumë dhe se e kaloj atë në mënyra gjithnjë e më dëshpëruese.”

Studimet që kanë arritur në përfundimin se lumturia rritet pas të pesëdhjetave janë pak ngushëlluese për të.

“Pra, duhet të pres deri në moshën 55-vjeçare që të kem kohë për t’u çlodhur dhe për të menduar?”, pyet ajo.

Në të njëjtin artikull të gazetës britanike, ekspertja për ekonominë dhe lumturinë Carol Graham tha se “Millennials” janë përballur me sfida të vështira si kriza financiare apo  rritja e fëmijëve gjatë pandemisë.

Ajo, në bashkëpunim me ekonomistin Danny Blanchflower, argumenton se kurba “U” e lumturisë, (teoria që lumturia zvogëlohet rreth të dyzetave dhe rritet përsëri pas pesëdhjetë), është konfirmuar në mbi 420 studime.

Megjithatë, Danny theksoi se sfidat ndikojnë pozitivisht në plan aftagjatë për “Millennials”.

“Përjetimi i një periudhe të vështirë na sjell dobi në planin afatgjatë, sepse nëse e kapërcejmë, bëhemi më elastikë ,” përfundoi ai.

Danny theksoi se gjërat priren të jenë më të lehta për gjeneratat e ardhshme, , duke përmendur se të rinjtë heqin dorë nga profesione apo vendime që i bëjnë të palumtur dhe ndjekin ëndrrat e tyre.