Shëndetësi

Pse ndiheni sikur po bini në një zbrazëti kur flini?

Ndërsa flini, papritur ndieni një dridhje ose sikur po bini nga shtrati. Ky fenomen quhet miokloni hipnagogjik dhe është plotësisht normale. Neurofiziologia Anjana López Delgado shpjegon se studentët shpesh nuk e njohin këtë term, por kur e përshkruan përvojën, të gjithë e pranojnë se e kanë përjetuar.

Këto lëvizje të papritura ndodhin kur trupi po kalon nga zgjimi në gjumë. Celia García Malo, eksperte e çrregullimeve të gjumit, thekson se dridhjet mund të prekin këmbët, krahët apo kokën dhe shpesh shoqërohen me ndjenjën e rënies në zbrazëti. Disa njerëz madje lëshojnë një britmë nga befasia.

Shkaku i saktë i këtyre spazmave nuk dihet plotësisht, por mendohet se lidhet me aktivizimin e qelizave nervore në palcën kurrizore. Ky fenomen prek njerëzit pa dallim moshe apo gjinie, por është më i zakonshëm tek ata që kanë mungesë gjumi ose ndihen të stresuar.

Zakonisht, këto dridhje janë të rralla dhe nuk përbëjnë problem, por disa njerëz i përjetojnë çdo natë, duke shkaktuar pagjumësi dhe ankth. Në raste të tilla, rekomandohet vizita te mjeku për të përjashtuar probleme neurologjike si epilepsia apo çrregullime të tjera.

TS Poll - Loading poll ...

Nëse nuk gjendet një shkak organik, mioklonitë mund të trajtohen me medikamente si klonazepami, i cili ndihmon në ndërprerjen e ciklit të shqetësimeve të gjumit.

Për të parandaluar këto dridhje, ekspertët këshillojnë një rutinë të rregullt të gjumit, shmangien e kafeinës dhe alkoolit pasdite dhe sigurimin e pushimit të mjaftueshëm. / Cuidate Plus – Syri.net