Mirë se u riktheve, 2016. Po, jemi në 2026, por mjaftoi pak “scrolling” këto ditë që të kuptojmë: kolektivisht, kemi vendosur ta injorojmë të tashmen dhe të kthehemi dhjetë vjet pas, në një epokë kur jeta dukej më e lehtë, më e thjeshtë, më pak e rënduar. E vështirë për t’u shpjeguar; duhej të ishe aty. Më mirë akoma, po të ishe adoleshent.
Nostalgjia është kaq e fortë, sa edhe njerëz të zakonshëm, edhe të famshëm po nxjerrin nga sirtarët fotot ikonike të asaj kohe, sikur po shfletojmë një album të përbashkët kujtimesh ku gjithçka duket më “light”.
Ishte mbretëria e skinny jeans aq të ngushta sa duhej të kërcenim për t’i veshur dhe të shtriheshim në shtrat për t’i mbyllur. Leggings-at ishin “uniformë” dhe askush s’e mendonte se një ditë do të demonizoheshin nga moda baggy. Pastaj bomber jacket, bikini Triangl super të ndezur (nëse e di, e di), print ushtarak, këmisha me kuadrata të lidhura në bel, suede, crop tops, t-shirt me grafika… dhe ai boho-chic-i që dukej sikur ishte bërë për Coachella.
Në atë (dis)komfort, choker-at ishin detaj i detyrueshëm: gjerdanë të ngushtë në qafë, të çdo lloji. Sot, me mendjen mbrapa, ndoshta ishte më mirë ta shtrëngonim qafën atëherë me chokers, sesa ta ndjenim sot “nyjën në fyt” nga përgjegjësitë e jetës së rritur. Dhe po sado “decluttering” të bëjmë çdo vit, një palë skinny dhe një choker diku i mbajmë, si hajmali, si relike, si provë që e dinim: një ditë do ktheheshin prapë.
Harroje “clean girl era”-n që dominon sot. Në 2016, skincare ende s’ishte fe popullore. Flitej më shumë për make-up: koleksione të pafundme tinti buzësh, nga nude te ngjyra ekstreme si vjollcë, e zezë, blu. Zgjatnin ditë të tëra më të qëndrueshme se çdo premtim dhe shumica prej nesh sot e paguajmë ende faturën e asaj kohe me buzë të thata dhe një balsam në xhep 24/7.
Edhe flokët ishin “playground”: ngjyra, paruke, eksperimente (me frymëzim nga Kylie Jenner dhe epoka e saj e re në beauty), plus gërsheta, gërsheta, gërsheta. Ishte koha kur shoqet në shkollë të preknin flokët mes orëve, si të ishe në backstage, jo në korridor.
Edhe interneti dukej më i pafajshëm. Snapchat ishte revolucion: postonim duke ditur që gjithçka zhdukej pas 24 orësh. Filtri i qenit, kurora me lule “cringe”? Ndoshta. Por shumë më pak toksik se filtrat e sotëm që të ndryshojnë fytyrën dhe të ngatërrojnë kufirin mes realitetit dhe fantazisë. Plus, Snapchat të njoftonte kur dikush bënte screenshot: avangardë.
Dhe pastaj erdhën Instagram Stories në verën e 2016-s. Ishin fëmija i Snapchat-it: ecën sepse Snapchat vrapoi. Por ta themi: atëherë postonim më shumë për qejf, për eksperiment, për vete. Sot shpesh postojmë për të tjerët, me më shumë kalkulim, sikur po shesim një estetikë, jo po ndajmë një copëz jete.
Edhe filtrat kishin një “shije” tjetër: ai Rio de Janeiro që e bënte gjithçka rozë. Ndërsa sot, me kamera super të avancuara në xhep, po kthehemi prapë te kamerat digjitale për “moments”, thjesht që të kapim atë ndjesinë e vjetër. Në 2016, një iPhone rozë dukej kulmi i cool-it aq sa s’donim as t’i vinim mbrojtëse, edhe sikur të thyhej te rrëzimi i parë. Sot, kur dëgjon që ekziston iPhone 17, të kap një ndjesi e lehtë “mosha po ecën”.
S’kishte TikTok kishte Musical.ly. Vine ishte burimi kryesor i të qeshurave: meme që lëviznin, të shkurtra dhe brilante. “Doomscrolling” nuk ishte epidemi. Algoritmi s’dukej sikur të njihte më mirë se shoqëria. Online dhe offline kishin ende kufi. Interneti ishte argëtim, jo zgjatim i identitetit.
Edhe shopping-u bëhej kryesisht “live”, jo me një klik. Dhe kjo, çuditërisht, na duket sot si luks.
2016 kishte edhe një soundtrack të pareplikueshëm: këngë që s’ishin thjesht hite, por “momente”. Pop-i ishte në epokën e artë: Sia, Coldplay, Drake, Chainsmokers, Shawn Mendes, Justin Bieber në “Purpose era”, Ariana Grande me super-hite… dhe Rihanna, kudo. Ishte koha kur një koncert të mbetej në trup, jo në galerinë e telefonit. Dhe ndoshta kjo është një nga arsyet pse na duket më e bukur: sepse e jetonim më shumë sesa e dokumentonim.
Në 2016, ideja e një pandemie globale dukej fantashkencë. Në kinema shkonim më shpesh, qanim me “Me before you”, ëndërronim me “La La Land”. Netflix sapo kishte nisur të bëhej “gjë” dhe askush s’e kuptonte se po vinte një revolucion i tërë në mënyrën si konsumojmë filma e seriale. Stranger Things sapo hapej si epokë.
Dhe, si çdo nostalgji e madhe, kishte edhe notat e hidhura: One Direction shpallnin pauzë dhe ne besonim realisht se “do ribashkohen”. Bota dukej më e qëndrueshme: edhe disa figura që sot s’janë më, atëherë të dukeshin të përjetshme.
Ndoshta s’mund të kthehemi mbrapa. Ndoshta as s’duhet. Por mund të kujtojmë si ndihej të ishe më i lehtë dhe, herë pas here, ta provojmë ta bëjmë prapë. Të postojmë më pak për të “dukur”, e më shumë për të “qenë”. Të shijojmë më shumë momentin, jo vetëm ta ruajmë.
Sepse ndoshta ajo që na mungon nga 2016 nuk janë skinny jeans, filtrat rozë apo Snapchat-i. Na mungon ndjesia se jeta s’ishte gjithmonë një provë, një garë, një performancë. Na mungon një lloj pafajësie digjitale. Dhe një frymëmarrje më e lirë.
