Shëndetësi

Pse njerëzit në këtë vend aziatik kanë më shumë gjasa të jetojnë deri në 100 vjeç, më shumë se pjesa tjetër e botës

Në mbarë botën ka rreth 630,000 njerëz të moshës 100 vjeç e lart, dhe shumica dërrmuese jetojnë në vetëm 10 vende.

Njerëzit që mbushin 100 vjetorin këtë vit, kanë parë shumë gjëra. Të lindur në vitin 1925 midis dy Luftërave Botërore, ata kanë qenë dëshmitarë të shfaqjes së gjithçkaje, nga penicilina te TikTok.

Por shumë pak njerëz e kanë kaluar atë kufi. Në mbarë botën, ka rreth 630,000 njëqindvjeçarë – njerëz të moshës 100 vjeç e lart – dhe shumica dërrmuese jetojnë në vetëm 10 vende, sipas vlerësimeve të fundit nga Kombet e Bashkuara.

Këto 10 vende shtrihen në Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut, dhe kanë një gamë të gjerë faktorësh si madhësia, forca ekonomike, politika, cilësia e kujdesit shëndetësor dhe strukturat shoqërore.

Një në pesë njëqindvjeçarë, ose rreth 123,000 njerëz, jetojnë në Japoni, e cila gjithashtu ka një nga jetëgjatësitë më të larta në botë, me 88 vjet për gratë dhe 82 vjet për burrat.

Pas saj vijnë Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë rreth 74,000 njëqindvjeçarë, Kina (rreth 49,000) dhe India (38,000).

Megjithatë, duke marrë parasysh numrin e njëqindvjeçarëve në krahasim me madhësinë e popullsisë, SHBA-të dhe Kina bien poshtë në listë, ndërsa vendet evropiane si Franca, Greqia dhe Italia ngjiten më afër kryesimit.

Japonia mbetet e jashtëzakonshme, me 100 njëqindvjeçarë për 100,000 banorë, pas vetëm Hong Kongut, me një normë prej 133.

“Japonia është në krye të të gjitha listave”, tha për Euroneës Health Solveig Cunningham, një profesoreshë që drejton kërkimet mbi shëndetin, plakjen dhe jetëgjatësinë në Institutin Demografik Ndërdisiplinor të Holandës.

Kjo ka të ngjarë të jetë për shkak të një kombinimi të të ushqyerit, ushtrimeve dhe një ‘mjedisi jetësor’ të shëndetshëm, tha Cunningham. Por testi i vërtetë do të ishte të gjurmohej shëndeti i njerëzve që emigruan në Japoni dekada më pare, dhe të shihej nëse ata ia dalin po aq mirë sa vendasit japonezë ndërsa plaken.

Çfarë e nxit jetëgjatësinë ekstreme?

Jetëgjatësia ekstreme i ka çorientuar prej kohësh shkencëtarët dhe ka magjepsur publikun, duke sjellë libra, shfaqje televizive, tituj kryesorë dhe udhëzues vetëndihme të panumërt.

Një shpjegim popullor është teoria e “zonave blu”, ose rajoneve gjeografike ku njerëzit jetojnë jashtëzakonisht gjatë për shkak të një kombinimi të dietave të shëndetshme, stilit të jetesës aktive, marrëdhënieve të forta shoqërore dhe gjenetikës.

Por studiuesit kanë ngritur gjithashtu pyetje nëse këto “zona blu” janë reale, apo thjesht janë çështje të dhënash të gabuara.

Një studim bëri bujë vitin e kaluar kur vuri në dukje dy arsye pse disa vende duket se kanë kaq shumë njëqindvjeçarë: gabime administrative me certifikatat e lindjes dhe mashtrime në sistemet e pensioneve dhe përfitimeve.

Cunningham tha se ka të ngjarë të ketë disa “aberacione të të dhënave”, por ato ndoshta nuk marrin parasysh tendencat e pamjes më të përgjithshme, veçanërisht sepse vendet me më shumë njëqindvjeçarë, gjithashtu kanë tendencë të kenë jetëgjatësi më të gjatë në përgjithësi.

«Nëse mendojmë se këto janë vende ku njerëzit në përgjithësi jetojnë më gjatë, nuk është për t’u habitur që një përqindje më e madhe do të arrijë atje», tha ajo.

Edhe vendet me jetëgjatësi më të ulët, mund të jenë shtëpia e një numri të habitshëm njëqindvjeçarësh.

 “Në vendet ku ka vdekshmëri mjaft të lartë në fillim të jetës, njerëzit që mbijetojnë janë jashtëzakonisht të fortë”, tha Cunningham.

Nuk duket se ka një “përzierje magjike”, shtoi ajo.

Për momentin, ka ende më shumë pyetje sesa përgjigje kur bëhet fjalë për jetëgjatësinë ekstreme, por demografët dhe ekspertët e shëndetit thonë se çelësat e plakjes së mirë janë të thjeshtë: ushtrime të rregullta, ushqim të shëndetshëm, qasje në kujdes mjekësor, gjumë të mjaftueshëm, shmangia e alkoolit dhe duhanit dhe menaxhimi i stresit.

“Nuk e di se sa shumë do t’i besoja unë personalisht [pretendimeve mbi përfitimet e] vajit të peshkut, çokollatës dhe një gote vere”, tha Cunningham./ Euronews.

Të Ngjashme