LifeStyle

Pse nxitojmë për gjithçka sot? Ndalesa nuk është dobësi!

Nga: Anisa Zhuri

Ka një nxitim të vazhdueshëm në mënyrën si jetojmë. Një ndjesi e padukshme që të shtyn të lëvizësh më shpejt, të mendosh më shpejt dhe të reagosh po me të njëjtin ritëm. Edhe kur nuk ka asnjë arsye reale për ngut, ndiejmë sikur koha po na ikën nga duart.

Urgjenca natyrshëm po na udhëheq. Nuk është më zgjedhje, por rregull që duhet të ndiqet. Të përgjigjesh menjëherë konsiderohet korrektësi. Të marrësh kohë për të menduar shihet si hezitim. Të ndalesh për pak quhet dembelizëm. Dhe kështu, pa e kuptuar, kemi ndërtuar një jetë ku gjithçka duhet të ndodhë tani.

Kjo urgjencë nuk vjen sepse jeta është bërë më e rëndë, por në fakt është më e mbushur. Jemi të rrethuar nga informacione, mendime, kërkesa, pritshmëri që vijnë njëra pas tjetrës pa pushim. Çdo gjë kërkon vëmendjen tonë menjëherë dhe na bind se është e rëndësishme, edhe kur nuk është.

Rrjetet sociale kanë luajtur dhe luajnë një rol të madh në këtë. Na mësuan të jetojmë në ritmin e reagimit të menjëhershëm. Të informohemi shpejt, të pëlqejmë shpejt, të komentojmë shpejt apo të krahasohemi e tê krahasojmë shpejt. Dhe kur gjithë bota duket se po ecën përpara me nxitim marramendës, ndalesa fillon të duket si dështim.

Por, urgjenca nuk është gjithmonë shenjë rëndësie. Shpesh është edhe shenjë frike. Frikë se mos humbasim diçka. Frikë se mos mbetemi pas. Frikë se mos nuk kemi bërë mjaftueshëm. Dhe kjo frikë na mban në një gjendje tensioni të vazhdueshme, ku mendja nuk pushon asnjëherë. E njëjtë si një seancë palestre, në të cilën na duket se po të ushtrohemi shpejt dhe fortë, arrijmë rezultate të mira dhe të menjëhershme, por në fakt përfundojmë vetëm me disa muskuj të kontraktuar. Dhe ashtu siç e shprehin edhe ekspertët një trup i mirë kërkon kohën e vetë që të arrihet.

Kemi filluar të ngatërrojmë shpejtësinë me vlerën. Sa më shpejt të bësh diçka, aq më i aftë dukesh. Sa më shpejt të reagosh, aq më i përfshirë konsiderohesh. Por gjërat më të rëndësishme në jetë nuk ndodhin shpejt. Marrëdhëniet kërkojnë kohë. Rritja kërkon durim. Qartësia kërkon heshtje.

Edhe vendimet tona sot merren gati plotësisht në nxitim. Vendosim për jetën, punën, njerëzit, emocionet, sikur jemi në limite të kohës. Dhe më pas pyesim veten pse ndiejmë boshllëk, pse jemi të lodhur, apo pse nuk ndiejmë kënaqësi nga ajo që kemi zgjedhur.

Ndoshta problemi nuk është se nuk po bëjmë mjaftueshëm, por bëjmë shumë dhe nuk i lejojmë hapësira vetes t’i perjetojmë e shijojmë. 

Sot, të marrësh kohë për veten shihet si luks. Të mendosh gjatë shihet si dobësi. Të ndryshosh mendje shihet si paqëndrueshmëri. Por ndoshta pikërisht këto janë shenjat e një njeriu që po jeton me vetëdije, sepse jeta nuk është garë shpejtësie. Nuk fitohet nga ai që reagon i pari, por nga ai që e kupton pse po reagon. Dhe jo çdo gjë që kërkon urgjencë, meriton përgjigje të menjëhershme. Ndoshta akti më i guximshëm sot është të ngadalësosh. Të mos përgjigjesh menjëherë. Të mos vendosësh nga frika. Të mos jetosh sipas ritmit që të imponohet.

Të zgjedhësh ritmin tënd është një formë lirie. Dhe në një botë që të shtyn vazhdimisht të nxitosh, ndoshta qetësia është revolucioni i vërtetë.


peachy 20260123 140322762


peachy 20260123 140322762



peachy 20260123 140322762



peachy 20260123 140322762

Të Ngjashme