Përfaqësuesit e marshit “Liria ka emër”, të hënën kanë qëndruar në Malishevë, e ditët e kaluar kishin qenë edhe në Rahovec, Suharkë, Istog, Pejë e Klinë dhe kanë marrë mbështetje edhe nga sindikata e institucione tjera, kjo për të kërkuar mbështetje për të dalë më 17 shkurt në mbështetje të ish- krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë.
Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, të cilët janë përfaqësues të këtij marshi, janë duke kërkuar mobilizim që më 17 shkurt në Prishtinë të marshojnë për mbrojtjen e drejtësisë së paanshme dhe vlerave të luftës çlirimtare.
Përfaqësuesit kanë zgjedhur pikërisht përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për këtë protestë, e cila nuk është e para e mbajtur për mbrojtje ndaj ish të akuzuarve në Hagë.
Pse pikërisht 17 shkurti?
Analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se data është zgjedhur të ndërlidhet pavarësia me Thaçin e Veselin.

Analisti politik, Faton Mehmeti
Sipas tij, protesta mbahet në këtë ditë edhe për ta shtuar pjesëmarrjen e qytetarëve.
“Sa i përket 17 shkurtit, sigurisht që kjo datë është zgjedhur pikërisht në aludimin që kjo katërshja e UÇK-së, pra Thaçi e tre të tjerët, sidomos për Thaçin e Veselin ndërlidhet se gjoja ata janë themelues të shtetit, lidhet me pavarësinë sepse sipas organizatorëve që janë njerëz të PDK-së, pra duan ta ndërlidhin emrin e Thaçit me pavarësinë e Kosovës, se gjoja po gjykohet pavarësia e Kosovës, po gjykohet shteti I Kosovës dhe jo individët. Në anën tjetër, sigurisht për të shtuar pjesëmarrjen e qytetarëve po dihet që në protestën e kaluar nuk është që kanë pasur shumë qytetarë, në këtë kuptim pra duan që të ndërlidhin këto dy gjëra”, deklaron Mehmeti.
Ai nuk pret të ketë pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, gjersa shton se ky manifestim nuk ka asnjë peshë.
“Mirëpo besoj se do të jetë e kotë, sepse nuk pres që të ketë edhe aq pjesëmarrje, sidoqoftë efekti do të jetë zero, për shkak se procesi atje është në fund, prokuroria ka paraqitur gjithçka çfarë ka për të thënë, po shihet që prova që ka dhënë prokuroria është 45 vjet dënim për secilin individ, pra ky manifestim është pa asnjë peshë, mirëpo qëllimi i tyre është që ta ndërlidhin dhe në rast se do të dënohen, që sigurisht se do të dënohen atëherë qytetari do të ndjejë një lloj revolte ndaj Gjykatës Speciale dhe PDK të ndjehet e viktimizuar nga kjo histori”, shprehet analisti.
Protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ishin intensifikuar në vitin 2025, ku ishin mbajtur në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Shkup, Strasburg.
Protestat politike
Ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, thotë se protestat bëhen gjithmonë politikisht për të sulmuar qeverinë, kryeministrin Kurti.
Sipas tij, OVL është degë politike e PDK-së.

Ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari
“Protestat bëhen gjithmonë për ta sulmuar politikisht Qeverinë e Kosovës, kryeministrin Kurti dhe vetë qeverinë, duke u akuzuar edhe OVL-ja. PDK-ja i diskriminon dhe i ndan, dhe protestat shndërrohen gjithmonë në propagandë për Thaçin dhe Veselin, ndërsa lihen në harresë Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Pyetja për OVL-në, si degë politike e PDK-së, është: pse nuk dolët në protesta kur u votua kjo gjykatë e padrejtë ndaj Kosovës? Atëherë thuhej se kush nuk e voton Gjykatën Speciale është tradhtar. Pse nuk dolët në protesta kur u dënua padrejtësisht Salih Mustafa – Cali?”, deklaron Miftari.
Sipas tij, fati individual nuk ka rëndësi, por Kosova mund të etiketohet nga armiqtë e pavarësisë së Kosovës.
Ai konsideron se shumë aktakuza do të bien, por jo të gjitha.
“Qëllimi i protestës për Ditën e Pavarësisë ka kahje politike dhe do të përdoret për qëllime politike kundër Qeverisë së Kosovës. Protesta, por as qeveria, nuk kanë ndikim në vendimin përfundimtar të gjykatës. Fati individual nuk ka rëndësi, por Kosova mund të etiketohet nga armiqtë e pavarësisë së Kosovës.
Shumë aktakuza do të bien, por jo të gjitha. Rasti, për shembull, i Bellaqevcit është një akuzë e rëndë dhe e argumentuar mjaft mirë. Nëse merren parasysh përgjegjësia dhe hierarkia komanduese, mund t’i përfshijë të gjithë të akuzuarit, edhe pse sa di unë, asnjëri nga të akuzuarit nuk ka lidhje direkte me atë aktakuzë”, shprehet ish- eprori.
Miftari tregon ku qëndron gabimi i Gjykatës, gjersa shton se UÇK ka bërë luftë të drejtë, të pastër.
“Gabimi dhe padrejtësia e kësaj gjykate është loja me dëshmitarë, tejzgjatja e këtij gjykimi dhe sidomos mosarrestimi dhe mosgjykimi i kriminelëve dhe zyrtarëve të shtetit serb, të cilët sistematikisht vranë mbi 16.000 civilë shqiptarë, dhunuan mbi 20.000 gra, dogjën mbi 116.000 shtëpi, dëbuan përmes pastrimit etnik mbi një milion civilë shqiptarë dhe zhdukën mijëra kufoma të civilëve etnikë shqiptarë të Kosovës.
Sa i përket UÇK-së, luftën e saj të drejtë dhe të pastër nuk mund ta dënojë apo ta etiketojë askush, pasi UÇK-ja nuk vrau gra, nuk vrau fëmijë, nuk vrau pleq, nuk dhunoi, nuk plaçkiti, nuk kreu pastrim etnik dhe nuk dogji kufoma të qytetarëve serbë, ashtu siç kryen mijëra krime forcat serbe kundër civilëve etnikë shqiptarë”, përfundon Miftari.
Ish-krerët e UÇK-së po mbahen dhe gjykohen në Hagë janë në paraburgim që nga viti 2020.
Që nga ajo kohë, pra më shumë se 5 vjet, ata ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë, pa një vendim përfundimtar.
Ndryshe, të hënën në seancën e mbajtur në Hagë, Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë ka kërkuar burgim 45 vjet për secilin nga të akuzuarit, që i bie 180 vjet burgim katër ish-drejtuesit e UÇK-së (Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit).
