LifeStyle

Pse sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru parashikohet të rriten ndjeshëm tek gratë në 25 vitet e ardhshme

Pa përmirësim të ndjeshëm në parandalim dhe zbulim të hershëm, numri i grave që jetojnë me sëmundje kardiovaskulare pritet të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme, ka paralajmëruar Shoqata Amerikane e Zemrës.

Duke u bazuar në trendet historike nga dy anketa kombëtare shëndetësore dhe në parashikimet e regjistrimit të popullsisë për rritjen demografike, organizata vlerëson se përqindja e grave me të paktën një formë të sëmundjes kardiovaskulare do të rritet me më shumë se një të tretën, nga 10.7% në vitin 2020 në 14.4% deri në vitin 2050.

Sëmundjet kardiovaskulare janë tashmë shkaku kryesor i vdekjeve tek gratë në Shtetet e Bashkuara.

Format më të zakonshme

Forma më e shpeshtë është sëmundja koronare e zemrës, e cila ndodh kur depozitat yndyrore (pllakat) grumbullohen në arteriet e zemrës dhe pengojnë furnizimin e muskulit të zemrës me gjak të pasur me oksigjen.

Raporti përfshin gjithashtu:

Dështimin e zemrës, kur zemra ka vështirësi të mbushet dhe të pompojë gjak;

Fibrilacionin atrial, një çrregullim i ritmit të zemrës;

Goditjen në tru.

Gjetjet janë “një thirrje për veprim”, tha Dr. Stacey Rosen, presidente vullnetare e Shoqatës Amerikane të Zemrës dhe drejtoreshë ekzekutive e Institutit Katz për Shëndetin e Grave në Northwell Health, në Nju Jork.

Sipas saj, megjithëse janë bërë përparime të mëdha në trajtimet që shpëtojnë jetë, tani është momenti për të rishikuar mënyrat se si mund të përmirësohen parandalimi dhe zbulimi i hershëm.

Parashikimet deri në vitin 2050

Tek gratë e rritura, shkalla e sëmundjeve kardiovaskulare parashikohet të rritet si më poshtë:

Sëmundja koronare e zemrës: nga 6.9% në 8.2%;

Dështimi i zemrës: nga 2.5% në 3.6%;

Goditja në tru: nga 4.1% në 6.7%;

Fibrilacioni atrial: nga 1.6% në 2.3%.

Plakja e popullsisë është një nga faktorët kryesorë që nxit këtë rritje, sipas Dr. Karen Joynt Maddox, kardiologe dhe drejtuese e grupit që hartoi raportin.

Faktorët e rrezikut po shtohen, sidomos tek të rejat

Rritja e rasteve me diabet, obezitet dhe presion të lartë të gjakut po kontribuon ndjeshëm në këtë trend. Nëse tendencat aktuale vazhdojnë:

Presioni i lartë i gjakut tek gratë pritet të rritet nga 48.6% në 59.1%;

Diabeti nga 14.9% në 25.3%;

Obeziteti nga 43.9% në 61.2%.

Këta faktorë rreziku po shtohen në të gjitha grupmoshat, përfshirë gratë e reja 20–40 vjeç. Edhe tek vajzat, obeziteti parashikohet të rritet nga 19.6% në 32%.

Kjo, sipas ekspertëve, rrezikon të krijojë një brez të tërë vajzash dhe grash që do të përballen me sëmundje kardiovaskulare në moshë shumë më të hershme.

Ndërkohë, megjithëse pritet një rënie e lehtë e përqindjes së grave me ushqyerje të dobët ose mungesë aktiviteti fizik, si dhe një ulje e duhanpirjes, problemet me gjumin pritet të shtohen.

Tendencat negative pritet të jenë më të theksuara tek gratë dhe vajzat që identifikohen si zezake, hispanike, indigjene ose multiraciale.

Ilaçet për humbje peshe: ndikimi mbetet i paqartë

Studimi nuk mori në konsideratë përdorimin në rritje të barnave GLP-1, të përdorura për humbje peshe dhe trajtimin e diabetit të tipit 2. Kërkimet tregojnë se këto barna mund të ulin rrezikun e infarkteve të përsëritura dhe episodeve të dështimit të zemrës.

Megjithatë, ndikimi i tyre afatgjatë në dekadat e ardhshme mbetet i paqartë, ndërsa siguria afatgjatë vazhdon të studiohet. Gjithashtu, shumë persona ndërpresin përdorimin për shkak të efekteve anësore dhe rifitojnë peshën e humbur.

Një tjetër sfidë është kostoja, pasi jo të gjitha komunitetet mund të përballojnë shpenzimet direkte për këto barna, gjë që mund të thellojë pabarazitë shëndetësore.

Çfarë mund të bëjnë gratë tani?

Ekspertët theksojnë se gratë mund të ulin rrezikun e tyre gjatë jetës duke:

Kryer kontrolle të rregullta mjekësore;

Marrë medikamentet e përshkruara;

Ndërtuar zakone të shëndetshme ushqimore dhe fizike;

Monitoruar shëndetin veçanërisht gjatë shtatzënisë dhe menopauzës.

“80% e rrezikut për sëmundje të zemrës është i parandalueshëm dhe gjithçka fillon me ndërgjegjësimin,” theksoi Rosen./ Gazeta Shendeti

Të Ngjashme