Eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka shpjeguar arsyet pse Turqia nuk është përfshirë drejtpërdrejt në përplasjet mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Irani.
Në emisionin “Matrix”, në moderimin e Mehmet Kalisi, Kulla tha se Turqia ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm diplomatik dhe ka shmangur përfshirjen në konflikt, duke synuar stabilitetin rajonal.
Sipas tij, edhe deklaratat e fundit të presidentit Recep Tayyip Erdoğan kanë qenë në linjë me këtë qasje.
“Turqia ka qenë një vend që është munduar të mos e përfshijë rajonin në luftë. Ka mbajtur një qëndrim diplomatik dhe është përpjekur të ketë një rezultat paqeje dhe diplomacie. Por, në anën tjetër, Turqia ka qenë shumë e qartë për përgjegjësitë që, sipas saj, ka Izraeli në destabilizimin e rajonit dhe futjen e tij në luftë”, tha Kulla.
Ai shtoi se Irani ka interes që të ketë një prapavijë të qetë nga ana e Turqisë.
“Irani dëshiron që nga ana e Turqisë të ketë një prapavijë të qetë dhe të sigurt, por edhe mundësinë e një aleati”, u shpreh ai.
Kulla e krahasoi situatën me një lojë shahu, duke theksuar se çdo lëvizje strategjike ka qëllimin e saj.
“Unë jam një shahist shumë i mirë dhe për çdo betejë shahu, çdo gur që lëviz ka një qëllim për lëvizjet e ardhshme. Kjo është arsyeja pse Turqia nuk është përfshirë në këtë luftë. Ajo ka ditur ta mbajë veten jashtë kufijve të konfliktit, ashtu siç bëri edhe në vitin 2003”, deklaroi Kulla.
