Josh Duhamel ka folur për ndarjen nga ish-bashkëshortja e tij, Fergie, duke zbuluar se arsyeja kryesore ishte fakti që ata kishin “pikëpamje të ndryshme për botën”.
Aktori 53-vjeçar, gjatë podcastit “The Skinny Confidential”, u shpreh se ai dhe këngëtarja 50-vjeçare ishin shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri.
“Ne jemi thjesht shumë të ndryshëm. Ajo dhe unë kemi këndvështrime të ndryshme për botën, dhe kjo është në rregull,” tha ai.
Megjithatë, Duhamel theksoi se nuk ka asnjë pendesë për martesën e tyre, e cila përfundoi zyrtarisht me divorc në vitin 2019. “Kemi një djalë të mrekullueshëm,” u shpreh ai, duke iu referuar djalit të tyre 12-vjeçar, Axl.
Aktori bëri gjithashtu një krahasim mes Fergie dhe bashkëshortes së tij aktuale, modeles Audra Mari, duke theksuar se të dyja janë gra të shkëlqyera, por shumë të ndryshme nga njëra-tjetra.
“Fergie është shumë e dashur, shumë e qetë dhe një nënë e shkëlqyer,” shtoi ai.
Sa i përket marrëdhënies së tyre sot, Duhamel u shpreh se ata kanë një raport shumë të mirë dhe bashkëprindërimi funksionon në mënyrë të shkëlqyer. Madje, sipas tij, edhe marrëdhënia mes Fergie dhe Audra Mari është shumë pozitive.
Pas divorcit në 2019, Duhamel vijoi jetën me Audra Mari, me të cilën u martua në vitin 2022. Çifti kanë një djalë, Shepherd, i lindur në janar 2024.
Në një intervistë të mëparshme, aktori kishte theksuar se lidhja me Fergie nuk kishte “asgjë të gabuar”, por se ata “u rritën në drejtime të ndryshme” dhe kishin interesa të ndryshme, duke pranuar gjithashtu se nuk ishte ndier kurrë plotësisht rehat me famën dhe eventet e Hollywood-it.
