Të gjithë i kemi parë ndonjëherë retë dhe kemi dalluar në to fytyra, kafshë apo forma të çuditshme. Truri i njeriut është i programuar për këtë lloj loje imagjinare. Por disa njerëz, ndoshta më shumë sesa mund të prisnim, shohin në qiell komplotet e qeverisë dhe vepra të këqija që mendohen të jenë shkruar atje.
Teoricienët e komploteve thonë se vijat e gjata të tymit që lënë pas avionët, të quajtura “contrails”, në fakt janë vazhda kimike, ose “chemtrails”, re me substanca kimike ose biologjike që hidhen mbi njerëzit pa dijeninë e tyre, për qëllime të errëta. Atyre u atribuohen motive të ndryshme, nga kontrolli i motit deri te helmimi masiv.
Teoria e “chemtrails” u përhap që në vitin 1996, kur teoricienët e komploteve keqinterpretuan një dokument të Forcave Ajrore të SHBA-së për modifikimin e motit, një temë e ligjshme kërkimore. Rrjetet sociale dhe media konservatore e kanë shtuar edhe më shumë këtë teori. Një studim i fundit thekson se platforma X, dikur Twitter, është një qendër shumë aktive e këtij “komuniteti të gjerë online të komplotistëve”.
Unë jam studiues i komunikimit dhe i teorive të komplotit. Teoria e rrëzuar plotësisht e chemtrails është shembulli klasik i mënyrës se si funksionojnë teoritë e komploteve.
E ngritur deri në stratosferë
Komentatori konservator Tucker Carlson, podcast-i i të cilit ndiqet nga mbi një milion njerëz për episod, së fundmi intervistoi Dane Wigington, një kundërshtar i hershëm i asaj që ai e quan “gjeoinxhinieri”. Edhe pse intervista është rrëzuar dhe tallur gjerësisht nga mediat e tjera, ajo është vetëm një shembull i rritjes së besimit te “chemtrails”.
Edhe pse kjo teori haset në gjithë spektrin politik, ajo është sidomos e pranishme tek republikanët. Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka shprehur mbështetje për këtë teori. Kongresistja Marjorie Taylor Greene nga Xhorxhia ka propozuar ligje për të ndaluar “kontrollin kimik të motit”, dhe disa parlamente shtetërore kanë bërë të njëjtën gjë.
Influencues online me miliona ndjekës kanë shpërndarë një teori dikur krejt dytësore te një audiencë shumë e madhe. Ajo gjen terren tek mohuesit e ndryshimeve klimatike dhe tek ata që kundërshtojnë “shtetin e thellë” dhe tremben nga kontrolli i mendjes nga qeveria.
Unë kokë, ti pil
Edhe pse ka kërkime të vërteta për modifikimin e motit, shumica dërrmuese e ekspertëve të specializuar e mohojnë se teoria e chemtrails ka ndonjë bazë faktike. Për shembull, laboratori i studiuesit të gjeoinxhinierisë David Keith publikoi një deklaratë të drejtpërdrejtë në faqen e vet. Ekziston një sasi e madhe burimesh të tjera online, shumë prej të cilave janë përmbledhur në contrailscience.com.
Por edhe pa hyrë thellë në shkencë, teoria e chemtrails ka probleme të qarta logjike. Dy prej tyre janë falsifikueshmëria dhe koprracia.
Sipas psikologut Rob Brotherton, teoritë e komploteve funksionojnë me një logjikë të tipit “unë kokë, ti pilë”. Teoricienët e komploteve thonë se chemtrails janë pjesë e një plani të errët të qeverisë, por “fakti” që nuk ka prova, sipas tyre, tregon se po fshihet. Nëse do të kishte prova që modifikimi i motit po ndodh, kjo do ta vërtetonte teorinë; por edhe provat që e mohojnë atë, gjithashtu e “vërtetojnë”, sepse tregojnë se po bëhet mbulim i së vërtetës.
Ata që besojnë në këtë teori i quajnë “heronj” çdo person që e mbështet idenë dhe “të mashtruar, të këqij ose të blerë” ata që e mohojnë. Prandaj, sasia e informacionit që mund ta hedhë poshtë këtë teori është zero për besimtarët e vërtetë. Kjo e bën atë të pafalsifikueshme, pra e pamundur të provohet që është e gabuar. Ndërkohë, teoritë e mira shkencore, edhe kur nuk janë të rreme, duhet të jenë të ndërtuara në mënyrë të tillë që, nëse do të ishin të rreme, provat të mund ta tregonin këtë.
Teoritë që nuk mund të falsifikohen janë të dyshimta, sepse funksionojnë brenda një rrethi të mbyllur vetëkonfirmimi. Në praktikë, teoritë rrallë shpallen “të pavërteta” nga një test i vetëm; ato merren më seriozisht ose më pak seriozisht në bazë të provave të mira dhe konsensusit shkencor. Kjo qasje është e rëndësishme, sepse teoritë e komplotit dhe keqinformimi shpesh pretendojnë se rrëzojnë teoritë kryesore të shkencës, ose shfrytëzojnë keqkuptimin e njerëzve ndaj mënyrës se si funksionon siguria në shkencë.
Si shumica e teorive të komplotit, edhe rrëfimi i chemtrails nuk e plotëson kriterin e koprracisë, i njohur si brisku i Occam-it, që sugjeron se sa më shumë supozime duhet të jenë të vërteta që një teori të qëndrojë, aq më pak e mundshme është ajo. Nuk është perfekte, por është një mënyrë e dobishme për të vlerësuar gjasat. A është më e mundshme që qeveria po fsheh një program gjigant të kontrollit të motit ose të mendjes, i cili përfshin mijëra apo miliona njerëz që heshtin, nga meteorologu lokal deri te Shefat e Shtabit të Përgjithshëm, apo që thjesht po shohim kristale akulli nga motorët e avionëve?
Sigurisht, fakti që një gjë quhet “teori komploti” nuk e bën automatikisht të pavërtetë. Sepse komplotet e vërteta ekzistojnë. Por duhet të kujtojmë thënien e Carl Saganit: “Pretendimet e jashtëzakonshme kërkojnë prova të jashtëzakonshme.” Në rastin e chemtrails, këto prova nuk ekzistojnë.
Psikologjia e besimit tek teoritë e komplotit
Nëse provat kundër kësaj teorie janë kaq të forta dhe logjika kaq e dobët, pse njerëzit vazhdojnë ta besojnë atë?
Siç argumentoj në librin tim të ri “Post-Weird: Fragmentation, Community, and the Decline of the Mainstream”, teoricienët e komploteve krijojnë lidhje mes tyre përmes mënyrave të ngjashme të interpretimit të botës, duke parë çdo detaj apo provë si shenjë e një kuptimi të madh, të fshehur.
Pasiguria, paqartësia dhe kaosi mund të jenë dërrmues. Teoritë e komplotit janë si simptoma, përpjekje të menjëhershme për të përballuar ankthin që sjell ndjenja e pafuqisë përballë një bote të ndërlikuar, ku gjëra të tmerrshme si tornadot, uraganet dhe zjarret mund të ndodhin papritur, për arsye që edhe njerëzit e informuar e kanë të vështirë t’i kuptojnë. Kur njerëzit ndihen të mbingarkuar e të pafuqishëm, ata krijojnë fantazi që u japin një ndjenjë kontrolli.
Edhe pse ka edhe liberalë që besojnë te chemtrails, mospëlqimi i pasigurisë mund të shpjegojë pse kjo teori është kaq e popullarizuar tek audienca e Carlson-it: Studiuesit prej kohësh thonë se bindjet autoritare dhe të djathta kanë një strukturë të ngjashme psikologjike. Në njëfarë mënyre, teoricienët e chemtrails do të donin më mirë të besonin se janë viktima të një komploti të keq, sesa të pranonin kufijtë e dijes dhe fuqisë së tyre, edhe pse besimi në komplot nuk është asnjëherë plotësisht i kënaqshëm. Sigmund Freud përshkroi një lojë të nipit të tij, ku fëmija hidhte një lodër larg dhe pastaj e tërhiqte me një fill, gjë që ai e interpretoi si një simulim kontrolli në një situatë ku fëmija nuk kishte kontroll. Teoritë e komploteve mund të kenë një funksion të ngjashëm: u japin besimtarëve përshtypjen se bota nuk është krejt rastësi dhe se ata që “shohin përtej iluzionit” kanë pushtet dhe kontroll. Sa më i madh komploti, aq më “të mençur dhe heroikë” duken teoricienët.
Komplotet janë dramatike dhe emocionuese, me ndarje të qarta mes së mirës dhe së keqes, ndërsa jeta reale është e mërzitshme dhe ndonjëherë e frikshme. Në thelb, teoria e chemtrails është e mbushur me mendjemadhësi. Është një mënyrë që besimtarët të ndihen të fuqishëm dhe të zgjuar përballë gjërave që nuk i kuptojnë dhe nuk i kontrollojnë.
Teoritë e komplotit vijnë e shkojnë, por për t’u përballur me to në afat të gjatë, duhet të gjejmë mënyra më të mira për të pranuar pasigurinë, paqartësinë dhe kufijtë tanë, krahas përdorimit më të mençur të mjeteve që kemi: logjikës, provave dhe madje përulësisë. /theconversation.com/ – Syri.net
