LifeStyle

Psikologët: Ndryshimi i zakoneve nuk ndodh të hënën, por kur gjejmë arsyen tonë të vërtetë

Në një kohë kur shumë njerëz kërkojnë mënyra për të përmirësuar jetën e tyre, psikologët nënvizojnë se nuk është dita e javës ajo që bën ndryshimin, por vendosmëria dhe kuptimi personal pas një zakoni të ri.

“Do ta filloj të hënën” është fraza që të gjithë kemi përsëritur të paktën një herë në jetë. Por e hëna vjen dhe shkon, ndërsa zakoni i ri mbetet vetëm një ide e parealizuar.

Ekspertët theksojnë se zakonet e mira kërkojnë kohë për të dhënë rezultate, ndërsa ato të këqijat shpesh sjellin kënaqësi të menjëhershme – ndaj janë më të lehta për t’u krijuar.

Si të filloni një zakon të ri,  dhe ta mbani?
Psikologët rekomandojnë disa hapa praktikë:

Gjeni “pse-në” tuaj: Nuk mjafton të dish që një zakon është i dobishëm. Duhet të kuptosh se çfarë do të thotë ai për ty personalisht dhe si do të ndikojë në jetën tënde.

Lidheni me një zakon ekzistues: Për shembull, nëse doni të merrni vitamina çdo ditë, vendosini ato pranë filxhanit të kafesë. Kështu do të lidhet me një rutinë që tashmë ekziston.

Mos prisni rezultate të menjëhershme: Ndryshe nga miti i 21 ditëve, një studim i vitit 2010 në European Journal of Social Psychology zbuloi se mesatarisht duhen 66 ditë që një zakon të bëhet automatik.

Çelësi? Veprimet e vogla, çdo ditë
Psikologët thonë se çdo herë që kujdesemi për veten – qoftë edhe për 5 minuta – po ndërtojmë brenda nesh një mekanizëm të fuqishëm vetëvlerësimi.

“Ndryshimet e mëdha ndërtohen me veprime të vogla dhe të përditshme. Filloni sot. Jepini kohë. Dhe mbajeni të thjeshtë,” thonë ekspertët.

Në një botë që lëviz me shpejtësi, zakoni më i vlefshëm është ndalimi për një moment – për të kujtuar çfarë ka vërtet rëndësi.

Të Ngjashme