Shëndetësi

‘Puberteti i dhëmbit që lëkundet’: Si ndryshon truri i fëmijëve në moshën 6-vjeçare

Për një kohë të gjatë e injoruar nga shkenca, “fëmijëria e mesme” midis moshës 6 dhe 12 vjeç është një periudhë transformuese që përgatit fëmijët për rritjen. Ja çfarë ndodh në kokën e tyre gjatë kësaj kohe të trazuar dhe si mund ta përballoni këtë fazë.

Veprimi im i parë i vogël rebel ishte kur isha rreth 6 vjeç. Sapo kisha qenë në një festë ditëlindjeje në sallën e fshatit, me një grup fëmijësh që pak i njihja. Të gjithë ishin ardhur me shokët e tyre, ndërsa unë ndihesha i turpëruar dhe i përjashtuar.

Kur u ktheva në shtëpi, isha në humor të keq. Nuk mbaj mend çfarë më kërkoi nëna, por e kujtoj mirë përgjigjen time. “Për ty është e lehtë, duke u shplodhur,” i thashë, “ndërsa unë duhej të shkoja në atë festë!”

Image

Më pas ikën, duke e lënë atë pa fjalë. Çfarë kishte ndodhur me djalin e saj të gëzuar?

Nëse do të kishim jetuar në një vend gjermanishtfolës, ajo mund të mos ishte habitur kaq shumë. Fjala “Wackelzahnpubertät” – që do të thotë “puberteti i dhëmbit që lëkundet” – përshkruan mënyrën si fëmijët gjashtëvjeçarë fillojnë të shfaqin humorin e keq karakteristik të adoleshencës. Revista gjermane Wunderkind thotë se “sjellja agresive, aktivizmi rebel dhe trishtimi i thellë janë tipike për pubertetin e dhëmbit që lëkundet.”

Në dallim nga puberteti i vërtetë, ky nuk është i nxitur nga ndryshimet hormonale. Ai përkon me fillimin e “fëmijërisë së mesme” – një periudhë ndryshimesh të thella psikologjike ku truri fillon të ndërtojë themelet për mendime dhe ndjenja më të pjekura. “Është një fazë shumë e rëndësishme ku fëmija po ndërton identitetin e vet dhe po përpiqet të kuptojë se kush është në marrëdhënie me të tjerët,” thotë Evelyn Antony, studente doktori në psikologji në Universitetin e Durhamit në Britani të Madhe. “Dhe bota e tyre emocionale gjithashtu po zgjerohet.”

Image

Ndërsa foshnjërinë dhe adoleshencën i kuptojmë mirë, fëmijëria e mesme – që përfshin moshën 6 deri në 12 vjeç – është injoruar shumë nga kërkimet shkencore. Disa psikologë e quajnë atë “vitet e harruara”. “Shumë kërkime përqendrohen te vitet e hershme, kur fëmijët fillojnë të flasin dhe të ecin, dhe pastaj te adoleshenca, kur ka më shumë rebelim,” thotë Antony. “Por për fëmijërinë e mesme dimë shumë pak.”

Kjo po ndryshon tani, me kërkime të reja që identifikojnë tiparet kryesore të metamorfizmit mendor të fëmijëve. Ky transformim përfshin një aftësi më të madhe për të reflektuar mbi ndjenjat dhe për t’i ndryshuar kur duhet, së bashku me një “teori më të avancuar të mendjes” që i lejon ata të mendojnë më sofistikuar për sjelljet e të tjerëve dhe të reagojnë në mënyrë të përshtatshme. Ata fillojnë gjithashtu të zotërojnë bazat e kërkimit racional dhe deduktimit logjik, duke marrë më shumë përgjegjësi për veprimet e tyre – për këtë arsye në Francë kjo periudhë njihet edhe si “viti i arsyes” (l’âge de raison).

Siç ilustron koncepti i pubertetit të dhëmbit që lëkundet, fillimi i fëmijërisë së mesme mund të shoqërohet me disa dhimbje rritjeje, por një kuptim më i thellë i ndryshimeve neurologjike dhe psikologjike po ofron njohuri të reja për mënyrat më të mira për të mbështetur fëmijën gjatë këtij udhëtimi./BBC

Të Ngjashme