Lajme

Publikohet autopsia për vrasjen e Ilaria Sulës, “Ish i dashuri e goditi 3 herë….”

llaria Sula u godit tre herë me thikë në qafë dhe vdiq nga shoku hemorragjik. Këto janë rezultatet e para të autopsisë së kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore të La Sapienza, me urdhër të prokurorisë së Romës për 22-vjeçaren shqiptare, e cila u vra në mënyrë makabre nga ish i dashuri i saj filipinez, Mark Antony Samson.

Për momentin, autopsia nuk mund të përcaktojë ditën dhe orën e vdekjes së vajzës, trupi i së cilës u gjet në një valixhe, 40 kilometër larg Romës. Për këtë do të nevojiten analiza të mëtejshme, rezultatet e të cilave do të arrijnë në javët në vijim.

Ish i dashuri i 22-vjeçares, Mark Samson pranoi vrasjen duke rrëfyer se Ilarias ia mori jetën në shtëpinë e tij, në lagjen afrikane të Romës, ndërkohë që në banesë ndodheshin edhe prindërit e 23-vjeçarit.

TS Poll - Loading poll ...

Hetimi nga prokuroria e Romës synon të zbardhë një sërë aspektesh që lidhen me orët e fundit të jetës së Ilarias, përfshirë këtu rolin e babait dhe nënës së Mark Samson.

Për momentin, çifti Samson nuk janë të regjistruar si të dyshuar në procedimet në të cilat kundërshtohen krimet e vrasjes me dashje të rënduar nga marrëdhënie emocionale dhe fshehja e kufomës. Prindërit (ky është një fakt i vërtetuar) kanë qenë në shtëpi në momentin që djali i tyre vrau Ilarian, vrasje që me sa duket ka ndodhur në kulmin e një debati.

Të dy e konfirmuan këtë gjatë një seance pyetjesh të mbajtur në komisariat të enjten. Aktualisht nuk ka asnjë informacion të caktuar për orën dhe ditën e vdekjes dhe përgjigjet mund të vijnë nga puna hetimore.

Në thelb ka një hendek prej 22 orësh midis mesazhit të fundit zanor të Ilarias, i cili daton në mbrëmjen e 25 marsit kur vajza doli nga shtëpia që ndante me miqtë e saj në San Lorenzo, dhe momentit në të cilin një kamera vëzhgimi, rreth orës 18:00 të ditës tjetër, fiksoi makinën e Mark Samson rreth 500 metra larg nga lugina e Polit, ku u gjet më vonë trupi i saj. Videoja e realizuar nga një kamerë shpejtësie, kapi targat e makinës, por nuk jepte asnjë informacion se sa persona ndodheshin në bord.

Gjatë përballjes së parë me prokurorin e çështjes, Samson nuk u përgjigj se kur e goditi me thikë Ilarian dhe motivin që e shtyu të kryente vrasjen, në një krim që ka të gjitha shenjat e një veprimi impulsiv. Megjithatë, sipas asaj që është konstatuar deri tani nga hetuesit, gjithçka do të kishte ndodhur në dhomën e të riut pasi aty janë gjetur gjurmë gjaku.

Hetuesit duan të kuptojnë nëse dikush e ka ndihmuar djalin të pastrojë shtëpinë dhe të fusë trupin e pajetë të Ilarias në një valixhe e cila më pas është tërhequr zvarrë deri te makina. Në këtë rast, do të ngrihej akuza e bashkëpunimit në fshehjen e një kufome. Përgjigjet në këtë kuptim mund të vijnë nga analiza e celularit të Samson-it dhe në veçanti nga bisedat e përdorura nga djali, i cili në ditët pas krimit publikoi, duke përdorur celularin e ish-it, mesazhe qetësuese (“Jam mirë, faleminderit të gjithëve”) në profilet e saj në rrjetet sociale për të mashtruar hetuesit.

Hetuesit janë ende në kërkim të armës me të cilën ish i dashuri vrau Ilaria Sulën. Në shtëpi u gjet një thikë por nga vlerësimi fillestar nuk duket të jetë ajo e përdorur për krimin. Duke folur për hetuesit, i dyshuari pretendoi se ai e hodhi thikën që përdori në një kazan. Policia Shkencore ka vijuar gjatë gjithë ditës punën për makinën e 23-vjeçarit dhe efektivët janë kthyer në banesën e sekuestruar për kontroll.

Ndërkohë, seanca e vlefshmërisë para gjyqtarit hetues është caktuar të premten në burgun Regina Coeli. Strategjia e mbrojtjes që do të dëshirojë të zbatojë i dyshuari duhet vlerësuar duke pasur parasysh faktin se në përballjen e parë me hetuesit ai ka shfrytëzuar në thelb të drejtën për të heshtur, duke u kufizuar në përcaktimin e vendit ku kishte hedhur valixhen dhe duke kërkuar “falje për atë që ka bërë”.