Shenja e punimeve në rrugë, është vendosur që disa muaj.
Përmes saj po ndalohet hyrja e paautorizuar gjatë punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Por, pavarësisht kësaj shumë qytetarë edhe të hënën u panë të kalojnë përmes këtij sheshi.
Mes tyre, edhe kjo nënë me karrocë.
Pavarësisht rrezikut, qytetarët thonë se rrugën përmes kryeqytetit ku po zhvillohen punimet, detyrohen ta kalojnë.
“Vallahin për neve, e unë po flas për vete kogja rëndë po më vjen edhe këtë rrugë që s’di sa herë po e prishin, herë e prishin herë e montojnë çka po bon nuk e di, planet e tyre nuk i di. Po vështirë boll po më vjen me kalu. Janë munduar me rrethu diçka, por vallahin me kalu boll problem se po duhet nëpër qoshe, rendë për neve të vjetërve por edhe fëmijëve qashtu e çka po bon nuk e di”, thotë Habib Gashi-qytetar.
E kjo situatë e krijuar, telashe po u shkakton edhe bizneseve përreth.
“Ne na është lëshuar një proces verbal për me i liruar hapësirat publike për me i filluar punimet, por kurrë nuk na është prezantuar asnjë projekt lidhur me sheshin as një kohëzgjatje sa ka me shkuar e qysh. Këtu nuk ka të drejtë në këtë gjendje në këtë kaos, shihni gropat e natën asnjë dritë nuk është këtu kurfar sulicioni nuk kanë bo”, shprehet Florim Neziraj-pronar i një biznesi.
Edhe nga Komuna e Prishtinës, e pranojnë se po rrezikohet siguria e qytetarëve.
Por, komunarët fajësojnë këta të fundit për kalimin përmes rrethojave.
“Kemi lënë një vendkalim ku qytetarët munden me kaluar, mirëpo po e shohim qe ka raste të shumta ku qytetarët të papërgjegjshëm tu i pa edhe makineritë, gropat e krejt këto që janë të pasigurta ata prapë po vazhdojnë me kaluar nëpër ato. Ne do t’i themi edhe operatorit ekonomik që me qenë më të përgjegjshëm të i ndalojnë edhe ato kalime dhe të sigurojnë edhe më shumë punishten”, thotë Gëzim Kastrati- drejtor i Drejtorisë së Transformimit në kryeqytet.
Nga komuna për Tëvë1 thonë se punimet në këtë pjesë të sheshit pritet të përfundojnë në muajin qershor.
