Shkencë & Teknologji

Puthja e parë daton 21 milionë vite më parë

Njerëzit e bëjnë, majmunët e bëjnë, madje edhe arinjtë polarë e bëjnë. Dhe tani studiuesit kanë rindërtuar origjinën evolucionare të puthjes.

Studimi i tyre sugjeron se puthja ka evoluar më shumë se 21 milionë vite më parë, dhe se ndoshta ishte një sjellje e paraardhësit të përbashkët të njerëzve dhe primatëve të mëdhenj.

E njëjta kërkim ka arritur në përfundimin se edhe Neandertalët mund të kenë puthur dhe se njerëzit modernë dhe Neandertalët madje mund të kenë shkëmbyer puthje mes tyre.

Shkencëtarët kanë studiuar puthjen sepse ajo paraqet një mister evolucionar – nuk ka përfitime të dukshme për mbijetesën apo riprodhimin, megjithatë shfaqet jo vetëm në shumë shoqëri njerëzore, por edhe në botën shtazore.

Duke gjetur prova të kafshëve të tjera që angazhohen në puthje, shkencëtarët arritën të ndërtojnë një “pemë familjare evolucionare”, për të kuptuar se kur ka më shumë gjasa të ketë evoluar kjo sjellje.

Për t’u siguruar se po krahasonin të njëjtin lloj sjelljeje në specie të ndryshme, studiuesit u desh të jepnin një përkufizim shumë të saktë – dhe aspak romantik – për “puthjen”.

Në studimin e publikuar në Evolution and Human Behaviour, ata e përkufizuan puthjen si kontakt oral–oral joagresiv “me lëvizje të buzëve apo pjesëve të gojës dhe pa shkëmbim ushqimi”.

“Njerëzit, shimpanzetë dhe bonobot puthin,” shpjegoi autorja kryesore, Dr. Matilda Brindle, biologe evolucionare në Universitetin e Oksfordit. Nga kjo ajo konkludon se “me shumë gjasa, paraardhësi i tyre i përbashkët i fundit ka puthur.”

“Ne mendojmë se puthja ka evoluar rreth 21.5 milionë vite më parë te primatët e mëdhenj.”

Në këtë studim, shkencëtarët identifikuan sjellje që përputhen me përkufizimin e tyre shkencor të puthjes edhe te ujqërit, qentë preriarë, arinjtë polarë (mjaft të çrregullt – shumë gjuhë), madje edhe te albatrosët.

Ata u fokusuan te primatët – dhe te majmunët e mëdhenj në veçanti – për të ndërtuar një tablo evolucionare të origjinës së puthjes njerëzore.

Studimi arriti gjithashtu në përfundimin se Neandertalët, të afërmit tanë më të ngushtë të lashtë, të cilët u zhdukën rreth 40,000 vjet më parë, gjithashtu puthnin.

Një kërkim i mëparshëm mbi ADN-në e Neandertalëve tregoi se njerëzit modernë dhe Neandertalët ndanin një mikrob oral – një bakter që gjendet në pështymën tonë.

“Kjo do të thotë se ata duhet të kenë shkëmbyer pështymë për qindra mijëra vjet pasi dy speciet u ndanë,” shpjegon Dr. Brindle.

Ndërsa ky studim përcaktoi se kur evoluoi puthja, ai nuk arriti të përgjigjej për pse.

Ekzistojnë disa teori: se puthja mund të ketë lindur nga sjellja e pastrimit (grooming) te paraardhësit tanë majmunë, ose se mund të shërbejë si një mënyrë intime për të vlerësuar shëndetin apo kompatibilitetin e partnerit.

Dr. Brindle shpreson që ky studim të hapë derën për përgjigjen e kësaj pyetjeje.

“Është e rëndësishme të kuptojmë se kjo është diçka që e ndajmë me të afërmit tanë jo–njerëzorë,” thotë ajo. “Duhet ta studiojmë këtë sjellje, jo ta hedhim poshtë si të parëndësishme vetëm sepse ka konotacione romantike te njerëzit.”

Të Ngjashme