Putin ka folur me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev për rrëzimin e avionit dhe ka kërkuar falje pasi “incidenti tragjik” me 38 viktima ndodhi në hapësirën ajrore ruse, por nuk ka pranuar se Rusia është përgjegjëse.
Putin i ka bërë me dije Aliyev se teksa avioni u përpoq të ulej në Grozny (kryeqyteti i rajonit rus të Çeçenisë), dronët ukrainas po sulmonin Rusinë dhe forcat ruse të mbrojtjes ajrore zmbrapsën sulmet.
“Vladimir Putin kërkoi falje për faktin se incidenti tragjik ndodhi në hapësirën ajrore ruse dhe shprehu edhe një herë ngushëllimet e thella dhe të sinqerta për familjet e viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve. Në atë kohë, Grozni, Mozdoku dhe Vladikavkazi po sulmoheshin nga mjete ajrore pa pilot të Ukrainës dhe sistemet ruse të mbrojtjes ajrore i zmbrapsën këto sulme”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini.
/tiranapost