Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për hedhjen poshtë të Ligjit për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe politik.
Ky ligj, i konsideruar si një nga mekanizmat kyç për luftimin e korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm, u rrëzua nga Kushtetuesja.
Lidhur me këtë vendim, ka reaguar edhe analisti politik Gani Qarri, i cili në një prononcim për “Bota sot” shpreh kritika të ashpra ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar atë për mbrojtje të paligjshmërive dhe rreshtim në anën e interesave të errëta.
Sipas Qarrit, me Qeverinë Kurti-3, jo vetëm që ekziston vullneti politik, por tashmë edhe në mënyrë mjaft efektive ka filluar konfiskimi i pasurive të kundërligjshme.
Ai thekson se arrestimi i zyrtarëve kryesorë të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës ka tronditur aq fort strukturat e korruptuara, sa që kjo situatë, sipas tij, i ka vënë në siklet edhe gjyqtarët e korruptuar të Gjykatës Kushtetuese.
“Derisa në të gjitha demokracitë e konsoliduara evropiane dhe botërore prioritet kryesor i gjykatave, veçanërisht atyre kushtetuese, është mbrojtja e ligjshmërisë dhe luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, për fat të keq, ka marrë një drejtim krejtësisht të kundërt”, shprehet Qarri.
Ai vlerëson se në vend se të sillet si gardiane e Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit, Kushtetuesja ka zgjedhur të dalë në mbrojtje të paligjshmërive.
“Duke u bërë krah i opozitës së inkriminuar dhe duke hyrë në një luftë të hapur kundër ligjeve më të rëndësishme të vendit. Kulmi i kësaj qasjeje ishte shfuqizimi i Ligjit për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme”.
Qarri thekson se, sikur të mos mjaftonte ky veprim i pajustifikueshëm, Gjykata Kushtetuese, për ta kamufluar këtë gabim fatal, ka shfuqizuar edhe 13 ligje të tjera, bashkë me Ligjin për Byronë, duke e shndërruar vendimin në një akt me pasoja të rënda për funksionimin e shtetit ligjor.
“Ky vendim mund të cilësohet i ri vetëm për nga data e miratimit, por në thelb është vazhdimësi e ndërhyrjeve të mëhershme të Kushtetueses edhe në kompetencat e brendshme të Kuvendit të Kosovës. Kjo dëshmon qartë se Ligji për konfiskimin e pasurive të pajustifikuara po i shqetëson seriozisht edhe vetë gjyqtarët aktualë të Gjykatës Kushtetuese“, shprehet analisti Qarri.
Sipas tij, ky shqetësim buron nga fakti se një pjesë e gjyqtarëve “e kanë mizën pas veshit” dhe për këtë arsye nuk guxojnë të vihen në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, por në mbrojtje të oligarkëve.
“Vendimet e Kushtetueses po shërbejnë hapur për mbrojtjen e të korruptuarve, kriminelëve ordiner dhe krimit të organizuar, që për më shumë se dy dekada kanë zhvatur pasuritë e Kosovës pa u ndëshkuar asnjëherë. Është e paprecedent faktin që për më shumë se 20 vjet në Kosovë kanë vepruar lirshëm edhe fajdexhinjtë, pa asnjë ndëshkim serioz, një realitet që nuk ndodh në asnjë shtet tjetër në këtë shekull”, nënvizon Qarri.
Megjithatë, përkundër asaj që ai e cilëson si frikë të hapur të Gjykatës Kushtetuese nga Byroja për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, Qarri shpreh bindjen se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me Albin Kurtin kryeministër, ka nisur të zbatohet edhe në Kosovë.
“Përkundër barrikadimit të Kushtetueses kundër ligjit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, ky ligj do të mbetet një nga sfidat dhe prioritetet kryesore të qeverisjes së Albin Kurtit”, thekson ai.
Sipas Qarrit, edhe pse partitë opozitare pas bllokadës politike mbi nëntë mujore po tentojnë ta vazhdojnë bllokadën përmes shfuqizimit të ligjeve kryesore nga Gjykata Kushtetuese, kryeministri Kurti nuk do të lejojë zbehjen e besimit masiv qytetar.
“Kurti ka marrë mbi 51.11 për qind të votave dhe, sipas tij, nuk do ta zhgënjejë këtë mbështetje të fuqishme duke u tërhequr nga betimi për rivendosjen e rendit dhe ligjit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike. Qeveria Kurti do të nisë përfundimisht konfiskimin e pasurive të pajustifikuara”, përfundon Qarri, duke përmendur edhe arrestimin e 39 të dyshuarve për manipulim dhe keqpërdorim të parave të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës si dëshmi konkrete se ky proces tashmë ka filluar.


