Lajme

Qendra e Paraburgimit në Prishtinë me programe rehabilituese

Në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë kanë përfunduar dy programe rehabilituese, Menaxhimi i Zemërimit dhe Vendimmarrja Sociale. Programet janë udhëhequr nga zyrtarët socialë të qendrës dhe janë zhvilluar me pjesëmarrjen e të burgosurve.

“Qëllimi i këtyre programeve ka qenë zhvillimi i aftësive personale dhe sociale, me fokus kontrollin e emocioneve, përmirësimin e sjelljes dhe marrjen e vendimeve të përgjegjshme. Këto aftësi janë të rëndësishme si gjatë qëndrimit në institucion, ashtu edhe pas lirimi”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Certifikatat për pjesëmarrësit u ndanë nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ridvan Hoti, drejtoresha për Trajtim, Trendelina Qorraj, si dhe i autorizuari i Drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Salih Ademi.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës zbatimi i këtyre programeve dëshmon përkushtimin e këtij institucioni për rehabilitimin dhe riintegrimin social të të burgosurve, si dhe për ndërtimin e një sistemi korrektues më efikas dhe më njerëzor, duke kontribuar në uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale.

Të Ngjashme