Qentë konsiderohen miqtë më të mirë të njeriut për shkak të besnikërisë së tyre të pakushtëzuar, aftësisë për të krijuar lidhje emocionale të forta dhe gatishmërisë për të qëndruar pranë njeriut në çdo moment, të gëzuar apo të vështirë.
Sipas një artikulli të BBC, një zbulim i një kocke të nofullës së një qeni është gjetur thellë në tokë, në Shpellën Gough në Somerset, në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka rishkruar historinë se kur qentë u bënë miq me njerëzit.
Analiza e ADN-së tregon se nofulla i përkiste njërit prej qenve më të hershëm të njohur të zbutur dhe se njerëzit jetonin afër tyre në Britani 15,000 vjet më parë, mijëra vjet para se kafshët e fermave të zbuteshin ose macet të ktheheshin kafshë shtëpiake. Zbulimi e shtyn kohën kur qentë e parë evoluan nga paraardhësit e tyre ujqër me rreth 5,000 vjet.
‘Kjo tregon se deri 15,000 vjet më parë qentë dhe njerëzit kishin tashmë një marrëdhënie tepër të ngushtë dhe kjo nofull e vogël, e cila duket si një gjë kaq e vogël, ka ndihmuar në zbardhjen e të gjithë historisë njerëzore se si filloi kjo marrëdhënie’, konfirmoi Dr. William Marsh i Muzeut të Historisë Natyrore.
Qentë e parë ishin pasardhës të ujqërve gri që endeshin rreth kampeve njerëzore në fund të Epokës së Akullit, duke mbledhur mbetjet e ushqimit dhe duke u bërë ngadalë më të zbutur. Me kalimin e kohës, njerëzit filluan t’i përdorin këto kafshë për të ndihmuar në gjueti, roje dhe ndjekje, duke i shndërruar ato në partnerë pune në vend të grabitqarëve të egër. Pas qindra brezash të mbarështimit njerëzor, qentë që dolën kishin fytyrë më të shkurtër, dhëmbë më të vegjël dhe një gamë të gjerë madhësish.
Marsh e bëri zbulimin rastësisht gjatë projektit të tij të doktoraturës. Kocka ishte fshehur në një sirtar muzeu për dekada të tëra, pasi mendohej se ishte një ekzemplar i parëndësishëm. Marsh kreu një analizë gjenetike të nofullës dhe, për habinë dhe kënaqësinë e tij, zbuloi se ajo ishte me të vërtetë nga një qen, duke e bërë atë provën e parë të qartë se qentë ekzistonin mijëra vjet më parë nga sa ishte konfirmuar më parë.
Por ky hulumtim i ri është i pari që përdor testime të hollësishme të ADN-së për të treguar se kafsha nga Shpella e Gough ishte vërtet një qen dhe se ishte pjesë e një popullate shumë të hershme qensh që ishte përhapur tashmë në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore dhe Azisë.
