Lajme

Qeveria e re/ Kurti paralajmëroi ndryshime në kabinetin e ardhshëm: Kush mbetet dhe kush largohet?

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria e ardhshme nuk do të jetë identike me emrat e prezantuar më parë.

“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar edhe unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, ka thënë ai në një deklaratë për mediat në Podujevë.

Ndërkaq, këta janë emrat e propozuar nga Kurti gjatë vitit të kaluar: Glauk Konjufca është propozuar zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Fikrim Damka zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim Ekonomik. Hekuran Murati është propozuar ministër i Financave dhe Ekonomisë, Andin Hoti ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Ejup Maqedonci ministër i Mbrojtjes, Xhelal Zveçla ministër i Punëve të Brendshme dhe Lulzon Jagxhiu ministër i Administratës Publike dhe Dixhitalizimit. Arben Vitia do të udhëheqë Ministrinë e Shëndetësisë, Avni Zogiani Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Spahiu Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, ndërsa Blerim Gashani Ministrinë e Sportit dhe Rinisë. Rasim Demiri është propozuar ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Fitore Pacolli ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Armend Muja ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dimal Basha ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Mimoza Kusari ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Artane Rizvanolli ministre e Energjisë dhe Minierave, Nenad Rashiq ministër për Komunitete dhe Kthim, si dhe Sejnur Veshall ministër për Zhvillim Rajonal.

Ndërkaq, nga Konjufca kishte propozuar kabinetin e tij qeveritar, duke përfshirë tre zëvendëskryeministra dhe një përbërje të gjerë ministrash. Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme është Albin Kurti, Donika Gërvalla është zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Fikrim Damka zëvendëskryeministër dhe ministër për Çështje të Pakicave. Ministrat e tjerë të propozuar janë: Hekuran Murati (Financa dhe Ekonomia), Andin Hoti (Familje dhe Mirëqenie Sociale), Ejup Maqedonci (Mbrojtja), Xhelal Sveçla (Punët e Brendshme), Lulzim Jagxhiu (Administrata Publike dhe Digjitalizimi), Arben Vitia (Shëndetësia), Avni Zogiani (Arsimi dhe Shkenca), Fatmir Spahiu (Kultura dhe Turizmi), Blerim Gashani (Sporti dhe Rinia), Rasim Demiri (Administrimi i Pushtetit Lokal), Fitore Pacolli (Mjedisi dhe Planifikimi Hapësinor), Armend Muja (Bujqësia, Pylltaria dhe Zhvillimi Rural), Dimal Basha (Infrastruktura dhe Transporti), Mimoza Kusari (Tregtia, Industria dhe Integrimet Evropiane), Artane Rizvanolli (Energjia dhe Minierat), Nenad Rashiq (Komunitetet dhe Kthimi) dhe Sejnur Vejvoda (Zhvillimi Rajonal).

Njohësit e çështjeve politike, nënvizojnë rëndësinë që Qeveria e tretë e Albin Kurtit të përbëhet nga ministra të aftë, të dëshmuar dhe profesional, të cilët njohin mirë dikasteret që do të drejtojnë dhe mund të kryejnë punën në mënyrë serioze, duke shmangur emra vetëm formalë apo partiakë.

Gani Mehmeti: “Qeveria duhet të jetë profesionale dhe serioze”

Opinionisti Gani Mehmeti, në një deklaratë për “Bota sot”, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se përbërja e Qeverisë së ardhshme nuk do të jetë e njëjtë me emrat e prezantuar më herët.

Image
Gani Mehmeti

Sipas tij, emrat e qeverisë së kaluar kanë qenë më shumë formalë, pasi atëkohë nuk besohej se do të formohej qeveria, për shkak të refuzimit të ish-opozitës për koalicion me LVV, çka çoi edhe në zgjedhje të parakohshme.

“Kryeministri ne detyrë, Albin Kurti, ka thënë se përbërja e Qeverisë së ardhshme nuk do të jetë identike me emrat e prezantuar më herët.

Emrat e qeverisë së mëparshme, besoj se kanë qenë emra vetëm sa për të thënë, pse nuk po besohej se edhe do të formohej, mbasi partitë ish-opozitare këtë e kishin deklaruar qysh me përfundimin e zgjedhjeve se nuk do të hyjnë në koalicion me LVV, dhe këtë kryeneçësi e mbajtën gjatë gjithë kohës, për çka erdhi edhe deri tek zgjedhjet e parakohshme.

Tani, kur formimi i institucioneve nuk varet më nga partitë tjera, çdo veprim duhet të jetë i matur e shumë serioz për institucionet shtetërore. Uroj që të jetë kështu, për çka mendoj se edhe ndryshimet në emra nga qeveria e mëparshme duhet të priten, për çka e ka thënë edhe kryeministri. Tani është i sigurtë në formimin e Qeverisë dhe duhet të shkohet me mençuri në veprim.

Duhet të shkohet në kriterin e profesionalizmit, nëse vetë kryeministri mendon për punë në nivelin sa më të lartë, nga që, joprofesionalistët në krye të ministrive, nuk do dinë mjaftueshëm të drejtojnë ato. Ky duhet të jetë kriteri kryesor, pastaj duhet të mbështetet në aftësitë e secilit, për aq sa i njeh ai ose partia e tij, jo vetëm si servilë partiakë, por si të dijshëm”, ka deklaruar ai.

Mehmeti ka deklaruar se pret që në krye të dikastereve të emërohen njerëz të duhur dhe të dëshmuar si në jetën politike, ashtu edhe në atë profesionale, veçanërisht në fusha kyçe si ekonomia, arsimi, shëndetësia, financat dhe sidomos dialogu me Serbinë.

“Unë pres që nëpër dikastere të emërohen njerëz të duhur e të dëshmuar në jetën politke dhe profesionale, si në ekonomi, arsim, shëndetësi, financa e veçanërisht në dialog me Serbinë. Këtu duhet të zgjedhën njerëzit më të fortë, sepse Serbia është tradhtare dhe shumë mashtruese, sa asnjëherë nuk duhet t’i besohet.

Ndryshimet mendoj se do të jenë bukur të mëdha dhe mjaft me rëndësi për shtetin e Kosovës.

Gjatë kësaj qeverie do të kryhen shumë punë, nisur nga shkëputja e përhershme me Serbinë, në marrëdhëniet me BE-në dhe me SHBA e vende të tjera në botë”, ka theksuar ai.

Mehmeti ka folur edhe për zgjedhjen e Presidentit/es së vendit, duke shprehur shpresën që partitë politike të pajtohen dhe të zgjedhin kandidatin më të duhur

“Uroj që edhe në zgjedhjen e kryetarit/es të pajtojhen e ta zgjedhin sa më të duhurin. Unë personalisht do të isha për rizgjedhjen e Vjosa Osmanit, e cila sot ka një të arrirë të mirë në shtete, vende e njerëz në botë, për çka do te mund të kontribuonte më shpejt e më bindshëm në ecjen përpara të Republikës së Kosovës. Për këtë do i kisha ftuar partitë tjera që të shikojnë interesin e shtetit e të lënë interesin individual e partiak në rend të dytë e të tretë”, është shprehur Mehmeti.

Ramadani: “Nevojiten ministra kredibilë dhe me përvojë”

Kurse, politologu, Albert Ramadani ka deklaruar se, nëse kryeministri në detyrë Albin Kurti duhet të prezantojë ministra që realisht kryejnë punën.

Ai thekson se, qeveria e re ka nevojë për emra kredibil, me njohuri të thella për dikasterët që do t’i drejtojnë, dhe jo vetëm për emra të rinj apo risi formale.

Image
Albert Ramadani

“Kosova nuk e ka më luksin, me kriju manorva, por duhet që sa më shpejt t;i krijon institucionet e vendit!

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nëse kësaj here e ka vendos me qeverisë një mandat të plotë, ai do të prezantojë ministra të cilët vërtetë do të kryejnë punën, ku dihet se posti i ministrit është post krejtësisht post politik.

Por, përdorimi i ndonjë kriteri apo politike lidhur me emërime dhe sjellje të emrave të rinj dhe risi ne ekzekutivin e ri nuk do me thënë vetëm emra, por qeverisë se re i duhet emra kredibil të cilët njohin mirë dikasterin që pranojnë me drejtu në mandatin e plotë”, ka thënë ai.

Ramadani ka shtuar se duhet të bashkëpunohet me partitë tjera, të sigurohen votat e presidentit/es më 4 mars.

Ai shton se qeveria e re pritet të ketë më shumë ministri dhe se vendin e presin sfida të rëndësishme si buxheti, marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

“Nëse, lideri LVV dhe njëherësh Kryeministri në detyrë, ka për synim me dërgu sërish vendin në zgjedhje ai para kuvendit paraqet emra që nuk kane peshë dhe kredebilitet në diskatstere që ju ngarkohet “sa për sy e faqe”

Po nëse ka qëllim serioz dhe punon për gjetjen e një bashkëpunimi me partitë tjera në krijimin e qeverisë duke siguruar votim me 4 mars kur duhet të votohet presidenti/es dhe një reflektim dhe bashkëpunim serioz, atëherë kuptohet që e ka serioz krijimin e qeverisë se re me emra të rinj dhe me emrat te respektuar për dikastere qeveritare.

Qeveria e Re me gjasë do të ketë shtim te ministrive te reja.

Kosova nuk ka kohë për humbur, nuk ka luks të vazhdohet me qeveri ne detyrë.

Por, qeverinë e re e presin shumë punë dhe angazhime.

Votimi i Buxhetit,

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

Votime te ligjeve të cilët në mënyrë direkte dhe indirekete që ndikojnë në mirëqenien të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Ramadani.

Të Ngjashme