BBV

“Qeveria e re ta ketë ekonominë prioritet absolut, nga buxheti te energjia dhe prodhimi vendor”

Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, vlerëson se stabiliteti ekonomik dhe rritja afatgjatë varen nga vendimet e para që do të marrë Qeveria e re e Kosovës.

Me formimin e Qeverisë së re, hapi i parë që duhet të ndërmerret është miratimi i buxhetit për vitin 2026, si dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që lidhen me rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare, thotë njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa.

Sipas tij, pas këtyre hapave fillestarë, qeveria duhet ta ketë ekonominë prioritet kryesor të agjendës së saj.

“Fokusi duhet të jetë në frenimin e inflacionit dhe në moslejimin e rritjes së mëtejshme të çmimit të energjisë elektrike, duke krijuar një stabilitet afatgjatë energjetik”, thekson Bellaqa.

Ai vlerëson se një nga shtyllat kryesore të zhvillimit duhet të jetë investimi në energji alternative, veçanërisht në energjinë solare, për të ndërtuar kapacitete të mjaftueshme energjetike dhe për të reduktuar varësinë nga importi.

Bellaqa kërkon gjithashtu orientim të qartë drejt bujqësisë dhe agro-përpunimit.

Image
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa

“Duhet të investohet seriozisht në rritjen e prodhimit vendor të produkteve ushqimore, në mënyrë që të ulet importi dhe të forcohet siguria ushqimore”, thotë ai.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm, sipas Bellaqës, është zhvillimi i industrive që krijojnë produktivitet dhe eksport. Ai thekson se rritja e eksporteve do të ndihmonte në përmirësimin e bilancit tregtar dhe në rritjen e neto-eksportit, duke e bërë ekonominë më të qëndrueshme.

“Ekonomia e Kosovës duhet të integrohet më fuqishëm me rajonin dhe me tregun e Bashkimit Evropian, duke plasuar produktet dhe shërbimet vendore në këto tregje”, shprehet ai.

Sipas Bellaqës, të gjitha këto objektiva janë të realizueshme vetëm nëse krijohet një ambient i favorshëm për të bërë biznes.

“Kjo nënkupton eliminimin e barrierave infrastrukturore, administrative dhe rregullatore, si dhe ndërtimin e një klime të qëndrueshme për investime të huaja direkte në sektorë strategjikë”, thekson ai.

Në përfundim, Bellaqa vlerëson se vetëm përmes reformave strukturore dhe politikave të qëndrueshme ekonomike, Kosova mund të bëhet më konkurruese dhe konvergjente me ekonomitë e vendeve të Bashkimit Evropian.