Mbledhja e pestë e Qeverisë së Kosovës filloi me një minutë heshtje.
I pari i ekzekutivit, shprehu ngushëllime për familjet e tre kosovarëve që humbën jetën në Austri.
“Pajtimi, Asllani dhe Istrefi do të kujtohen përherë si punëtorë e bashkatdhetarë. Vdekja e tyre tragjike, duke punuar jashtë vendit, duhet të na shërbejë si moment përkujdesjeje dhe reflektimi për sakrificën dhe mundin, shpeshherë jo të çmuar sa duhet të mërgatës sonë; vënien në limite të qenies së tyre, duke u angazhuar për familjet dhe vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Në këtë mbledhje, pikë e parë e rendit të ditës ishte propozim-vendimi që zyra për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së të bartet në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare.
Deri në këtë kohë, kjo zyrë ka vepruar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Dritën e gjelbër e mori edhe propozim vendimi për të kërkuar nga e para e shtetit, dhënien e autorizimit për Ministren e Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës.
Më shumë detaje për këtë pikë dha ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Aty u miratua edhe propozim- vendimi për mbulimin e pagesës për 37 specializantë me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Shqipëria.
“Kjo mbështetje lehtëson barrën, mundëson vazhdimin e zhvillimit profesional dhe krijon kushte për përfshirjen e tyre në shërbime shëndetësore”, u shpreh tutje Kurti.
Në mbledhjen e ekzekutivit, u miratua edhe kërkesa tjetër e Ministrisë së Financave për dhënien në shfrytëzim të ngastrave kadastrale për Doganën e Kosovës.
