Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka thënë se ende nuk janë dorëzuar për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka thënë se ka ende hapësirë që të arrihet një marrëveshje.
Por, Qorrolli ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje, kjo parti është e gatshme për zgjedhje. Ai ka thënë se opozita nuk mund t’i frikësojë e shantazhojë me zgjedhje.
“Nuk e kemi dorëzuar as peshqirin në ring e as flamurin e bardhë në dorëzim. I thërrasim mendjeve racionale brenda subjekteve politike opozitare që t’ia japim Kosovës një president. Këtë nuk duhet të na marrin si dobësi. Jemi të gatshëm për zgjedhje nuk na frikësojnë me shantazhe e kërcënimin për zgjedhje. Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor si mund të arrijmë një kompromis të ri, s’mund t’i fitojë askush 80 deputetë”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ai ka thënë se opozita po shpreson që do të rritet elektoralisht në zgjedhje, por sipas tij e kanë gabim.
Qorri ka thënë se gatishmëria e tyre për marrëveshje nuk u vlerësua, madje ai ka thënë se procesi u paragjykua nga Abdixhiku.
I pyetur pse LVV po insiston në postin e presidentit ai ka thënë se negociatat nuk patën sukses dhe se opozitës në bazë të rezultatit zgjedhor nuk i takon posti i presidentit.
