Lajme

Qytetarët në Prishtinë për të shtatën ditë radhazi pa transport publik

Bllokada në transportin publik të Prishtinës po hyn në javën e dytë, ndërsa punëtorët e Trafikut Urban dhe sektorit privat të autobusëve nuk kanë hequr dorë nga protestat e tyre.

Ata kërkojnë ekzekutimin e pagave, në mënyrë që të rikthehen në punë.

Protestat do të vazhdojnë edhe sot, nga ora 10:00 deri në 12:00, ka bërë të ditur përfaqësuesi i punëtorëve të Trafikut Urban, Elmi Gashi.

“Derisa fondet të procedohen në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe të operatorëve privatë, ne do të vazhdojmë me protesta. Nuk kthehemi pa i marrë pagat tona”, ka deklaruar ai.

Edhe sektori privat kërkon reagim urgjent nga institucionet. Ismet Haliti, sekretar i Shoqatës së autobusëve privatë, theksoi se situata më së shumti po rëndon qytetarët. “Qytetarët janë duke e vuajtur këtë gjendje. Sa më shpejt të lëshohen mjetet, aq më shpejt rikthehet transporti”, u shpreh Haliti.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë asnjë deklaratë të re lidhur me bllokimin e transportit.

Për një javë të tërë, mungesa e autobusëve ka lënë me mijëra qytetarë të kryeqytetit të detyruar të gjejnë forma alternative për të lëvizur. /teve1.info/